
Largimi i Kushtrim Vokës nga posti i trajnerit të portierëve te Partizani ka qenë një “rrufe në qiell të hapur” që ka trazuar jo pak ambientin e kuq. Voka, i cili për tre vite shërbeu si përgatitës i gardianëve dhe së fundmi edhe si video-analist, la një vakuum të papritur në stafin teknik, duke hapur menjëherë diskutimet për pasardhësin e tij.
Në këtë situatë, sytë e të gjithëve janë kthyer nga kapiteni legjendar, Alban Hoxha.
Edhe pse para përfundimit të sezonit dëshira e Hoxhës ishte të vazhdonte edhe për të paktën një edicion si portier aktiv, lëvizjet e fundit në klub mund të ndryshojnë planet e tij. Largimi i papritur i Vokës i hap rrugën një tranzicioni të mundshëm që është përfolur shpesh në rrethet sportive: kalimi i Alban Hoxhës nga fusha në stafin teknik.
Licencimi i tij me “UEFA C” pak muaj më parë tregon se kapiteni po përgatitet seriozisht për jetën pas futbollit të luajtur. Ai esht perfolur edhe si nje nga lojtaret qe eshte ne liste per te mbyllur bashkepunimin me Partizanin, te pakten persa i perket fushes.
Te Partizani priten ndryshime rrënjësore pas një sezoni të vështirë dhe pa trofe, dhe emërimi i një figure si Hoxha në rolin e trajnerit të portierëve do të sillte stabilitet dhe eksperiencë në dhomat e zhveshjes. Mbetet për t’u parë nëse 36-vjeçari do të vendosë t’i varë dorashkat në gozhdë për të marrë një rol të ri, apo do të synojë të mbajë një pozicion të dyfishtë deri në fund të kontratës së tij.






Komentoni!