
Partizani mund të jetë shumë pranë zgjidhjes së çështjes së trajnerit për sezonin e ri. Drejtuesit e klubit po punojnë intensivisht për të mbyllur marrëveshjen me një emër që ka eksperiencë ndërkombëtare dhe që ka qenë pjesë e stafit të ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.
Sipas informacioneve që qarkullojnë pranë klubit, të kuqtë janë në bisedime të avancuara me Paolo Tramezzani që ka punuar për vite me radhë si krahu i djathtë i teknikut italian. Profili i tij vlerësohet për eksperiencën në nivel kombëtaresh dhe njohjen e futbollit në rajon.
Pas një sezoni të mbushur me luhatje dhe ndryshime në pankinë, drejtuesit e Partizanit po kërkojnë një figurë që mund të sjellë stabilitet dhe një projekt afatgjatë. Pikërisht për këtë arsye, po shihet me prioritet afrimi i një trajneri me eksperiencë dhe me ide të qarta për ndërtimin e skuadrës.
Ndërkohë, puna për merkaton vazhdon paralelisht. Klubi synon të mbyllë sa më shpejt çështjen e trajnerit, në mënyrë që afrimet dhe largimet e verës të bëhen në bashkëpunim me teknikun e ri.
Nëse marrëveshja finalizohet, Partizani mund të bëjë një nga lëvizjet më interesante të kësaj vere në futbollin shqiptar, duke ia besuar pankinën një emri si Paolo Tramezzani me eksperiencë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare dhe me lidhje të forta me një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e Kombëtares shqiptare.






Komentoni!