Partizani pa pikë në Laç

Partizani bën një hap të madh mbrapa në luftën për objektivin e sezonit teksa mposhtet 3-2 nga Laçi në ndeshjen e javës së 29-të Superiores.

Tre raste të pastra goli të shpërdoruara në 20 minutat e para të ndeshjes, patjetër që do të rezultonin fatale në mbyllje të saj.

Partizani kalon në avantazh në minutën e 39-të me 11-metërshin e realizuar nga Da Silva, i cili më parë pengohet në zonë nga portieri i Laçit, Selmani.

Laçi barazon në të 43-tën nga një pozicion i dukshëm jashtë loje por arbitrave të VAR-it u nevojiten më shumë se 5 minuta për të shpikur një interpretim që do të përligjte pranimin e një goli të tillë të parregullt. Interpretim ky që me siguri do mbrohet me po aq zell edhe nga “specialistët” e moviolës në studiot e emisioneve sportive në mbrëmje, për të vazhduar me “business as usual”.

Pjesa e dytë nis me një gabim fatal të mbrojtjes së kuqe që i jep mundësinë Shkurtajt të kalojë Laçin në avantazh nē të 48-tën. Partizani në vijim shthuret komplet dhe laçjanët shënojnë edhe golin e tretë me Guindo në minutën e 79-të. Goli i shënuar nga Mba 2 minuta para fundit të kohës së rregullt vlen vetëm për statistikë.

“Janë 10 minuta të bërë keq dhe pësuam dy gola. Ky është ndryshimi. Ata bënë 10- minuta mirë, shumë agresive, bënë gol dhe ne jo. Mëkat, sepse e kishim përballuar këtë ndeshje shumë mirë. Nëse do të kishte probleme fizike, nuk do të bënte ekipi një pjesë të parë si sot, nuk është problem fizik. Nëse fiton Tirana, ne jemi jashtë. Mjaft, u mbyll! Tani do të bëjmë kampionatin tonë, të luajmë ndeshje pas ndeshje, dhe pastaj të shohim se çfarë ndodh. Nuk kemi ndryshuar deri në fund, kemi ndryshuar skemë vetëm në 5 minutat e fundit. Nuk është se ka qenë ndonjë ndryshim i madh. Më kujtohet që goli i dytë erdhi nga një dyluftim, duhej fituar dyluftimi, e humbëm dhe kaq, u mbyll. Një dyluftim bën diferencën, nuk ka pse të gjejmë alibi, nuk ka lidhje me rreshtimin”, tha trajneri Colella pas ndeshjes.

Një koment

Komentoni!