
Pano Qirko pritet të marrë për herë të parë një ftesë nga Kombëtarja shqiptare për dy ndeshjet e muajit qershor. Portieri i Partizanit është shumë pranë grumbullimit me ekipin A të Shqipërisë, pas një sezoni pozitiv me fanellën e të kuqve.
Mungesa e mundshme e Thomas Strakosha besohet se i ka hapur rrugën thirrjes së gardianit 26-vjeçar, i cili gjatë këtij sezoni ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit. Qirko tregoi vazhdimësi gjatë gjithë kampionatit dhe në shumë ndeshje rezultoi vendimtar me pritjet e tij.
Për portierin e të kuqve, ky do të ishte një moment shumë i rëndësishëm në karrierë, pasi bëhet fjalë për grumbullimin e parë me Kombëtaren A. Më herët, Qirko ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave U16, U18 dhe U19.
Te Partizani shohin me krenari mundësinë e grumbullimit të portierit kuqezi, ndërsa për tifozët e të kuqve kjo do të ishte një tjetër vlerësim për sezonin pozitiv të gardianit të tyre.






Komentoni!