
Jo shumë tifozë e dinë, por emri “Partizani” gjendet edhe në Brazil. Bëhet fjalë për “Instituto Partizani”, një projekt social dhe sportiv që përdor emrin, ngjyrat dhe një logo që të kujton menjëherë Partizanin e Tiranës.

Instituti brazilian u krijua në vitin 2010 me idenë se çdo fëmijë meriton mundësi më të mira në jetë. Përmes sportit, edukimit dhe aktiviteteve kulturore, projekti ndihmon fëmijë dhe adoleshentë që jetojnë në kushte të vështira sociale.
Sipas informacionit në faqen zyrtare të klubit, “Instituto Partizani” ka arritur të ndihmojë më shumë se 180 të rinj ndër vite, duke krijuar një ambient të sigurt për edukim, zhvillim dhe integrim përmes sportit.
Për tifozët e Partizanit në Shqipëri, është mjaft interesante të shohësh se emri dhe identiteti i të kuqve kanë mbërritur deri në Amerikën Latine. Edhe pse nuk ka lidhje zyrtare me klubin shqiptar, ngjashmëria në emër, ngjyra dhe simbolikë e bën këtë projekt shumë të veçantë për komunitetin e kuq.
Në një mënyrë apo tjetër, emri “Partizani” vazhdon të jetojë jo vetëm në Tiranë, por edhe mijëra kilometra larg saj.
Një tjetër rast interesant vjen edhe nga Shtetet e Bashkuara, ku ekziston “FC Partizani NY”, një ekip me bazë në New York që mban emrin dhe ngjyrat e të kuqve. Klubi është aktiv në komunitetin shqiptar atje dhe shpesh publikon në rrjetet sociale foto me simbole dhe fanella që kujtojnë Partizanin e Tiranës.
Për tifozët e kuq, është një tjetër dëshmi se emri “Partizani” vazhdon të ketë jehonë edhe jashtë Shqipërisë.






Komentoni!