
Sezoni i ri i futbollit shqiptar pritet të nisë më vonë nga sa ishte planifikuar fillimisht. Edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit kishte projektuar datën 16 gusht si startin e kampionatit, tashmë po diskutohet seriozisht mundësia që Superiorja të nisë më 6 shtator.
Ky ndryshim lidhet kryesisht me angazhimet e Kombëtares U-21, e cila do të ketë ndeshje të rëndësishme në kuadër të ciklit olimpik. Për këtë arsye, FSHF po shqyrton mundësinë e shtyrjes së kampionatit për të shmangur mbingarkesën në kalendar.
Një shtyrje prej afro tre javësh do të ndikonte drejtpërdrejt në planet e klubeve. Skuadrat do të detyroheshin të zgjasnin fazën përgatitore, duke rishikuar programet e stërvitjes, ndeshjet miqësore dhe merkaton verore. Për disa ekipe kjo mund të jetë pozitive, pasi do të kenë më shumë kohë për të integruar afrimet e reja dhe për të përmirësuar gjendjen fizike.
Nga ana tjetër, një nisje më e vonshme e kampionatit do të sillte edhe një kalendar më të ngjeshur gjatë muajve të dimrit dhe pranverës. Kjo pritet të rrisë ngarkesën fizike për futbollistët, sidomos për skuadrat që do të kenë angazhime edhe në Kupat e Europës apo në Kupën e Shqipërisë.
FSHF ka zhvilluar konsultime me klubet e Superiores për këtë çështje, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë muajit qershor, pas mbylljes së “Final Four”. Deri atëherë, të gjitha opsionet mbeten të hapura, edhe pse sinjalet e fundit tregojnë se kampionati i ri mund të nisë në muajin shtator.





Komentoni!