
Partizani arriti një fitore shumë të rëndësishme me shifrat 0-1 ndaj Tiranës, duke u shkëputur me katër pikë në krye nga bardheblutë dhe shpallur kampion dimri. Pas ndeshjes, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, u prononcua presidenti i të kuqve, Gazment Demi.
Ai është i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij, teksa shprehet se titullin e tij e ka fituar me ndërtimin e stadiumit dhe tani pret atë të skuadrës. Demi thekson edhe dominimin e të kuqve në derbi, pavarësisht periudhës së fundit kur të kuqtë nuk fitonin prej gjashtë ndeshjesh.
Si ju duk loja e skuadrës dhe sa i lumtur jeni për këtë fitore?
Mendoj se skuadra zhvilloi një lojë të mirë. Pas golit e menaxhuam shumë mirë rezultatin deri në fund për të mbërritur te fitorja.
Një fitore që vjen pas gjashtë ndeshjesh?
Po është e vërtetë. E fituam këtë të shtatën, por para këtyre ndeshjeve ju të gjithë e dini se kush ka qenë fitues në epokën “Demi”.
E kishit pritur në fillim të sezonit të shpalleshit kampionë dimri?
Ju e dini të gjithë, Partizani në çdo sezon futet për të fituar titullin kampion. Kështu që po, e kishim pritur.
Trajneri Kolela me këtë ecuri të deritanishme duket se e ka thyer “tersin” e italianëve…
Po, e uroj Kolelën, po ecën mirë. Është një trajner i një stadi shumë të lartë, sepse po e mban ekipin në krye, por edhe po e ndihmon Partizanin me angazhimin dhe rritjen e djemve të rinj.
Keni ndërtuar stadiumin, tani kërkoni edhe titullin. Është ëndërr e realizueshme brenda një viti?
Unë titullin tim e kam realizuar, tjetrin e ka në dorë Kolela me lojtarët dhe gjithë pjesën tjetër që punon me skuadrën. Shpresojmë që shumë shpejt të ndërtojmë edhe fushat dhe ta mbarojmë kompleksin.
Do të ndërhyni në merkaton e janarit?
Ata e dinë.
Jeni gati t‘ua plotësoni dëshirat?
Po, po, patjetër.