Skuka: Ky do të jetë sezoni ynë

Tri ndeshje, tre gola dhe një superstart. Xhuliano Skuka është padyshim pika e referimit të skuadrës së Partizanit këtë sezon dhe me formën që po tregon, pritshmëritë janë edhe më të mëdha.

Pas ndeshjes në Ballsh (shiko golin), ku realizoi golin e fitores, si dhe ishte gjatë gjithë ndeshjes rreziku kryesor në vijën e parë të të kuqve, Skuka me optimizëm ka folur për “Panorama Sport” rreth synimeve në aspektin personal, ecurinë pozitive me trajnerin Kolela si dhe titullin kampion.

Tri ndeshje, tre gola, tri fitore. E prisnit këtë start?

Të jem i sinqertë për nga mënyra se si është projektuar ky ekip, unë e prisja këtë start dhe besoj se deri tani jemi në rrugën e duhur. Normalisht që e mira s’ka fund, por jemi në rrugën e duhur dhe jam i bindur se ky do të jetë sezoni ynë.

Çfarë ka ndryshuar me trajnerin e ri te ky Partizan?

Nuk besoj se ka ndryshuar shumë po të krahasojmë trajnerin aktual me profesor Tanin. Grupi është i njëjtë, por thjesht jemi ekip më sulmues.

Sa gola synoni të shënoni këtë sezon?

Të jem i sinqertë nuk e kam shumë mendjen që të shënoj që unë të jem golashënues, por dua që të punoj sa më shumë në stërvitje, të bëj maksimumin për skuadrën duke shënuar në çdo ndeshje dhe Partizani të jetë aty ku duan dhe kanë dëshirë që ta shohin të gjithë, ne majën e elitës së futbollit shqiptar. Duke u nisur nga kjo, objektivat personalë dalin në plan të dytë.

Pak herët për llogari, por a e shihni këtë Partizan për titull?

Nuk është puna ime, unë jam natyrë lojtari, që dua të jem në çdo moment me këmbë në tokë. Dua që të bëjmë maksimumin dhe llogaritë nuk duhet t’i bëjmë që tani. Objektivi ynë është çdo ndeshje është të fitojmë, pastaj për fundin duhet të flasim në një moment tjetër. Dua që unë dhe skuadra të vazhdojmë në çdo ndeshje kështu!

/ERION SALIU, PANORAMASPORT/

Një koment

Komentoni!