Partizani është skuadra që ka arritur fitoren e parë të bujshme me një skuadër perëndimore, dhe kjo ka ndodhur në vitin 1968, kur të kuqtë munden Torinon me rezultatin 1-0. Më pas do të vinte eliminimi i dhimbshëm në Torino me një humbje 3-1 (në total 3-2), pra vetëm një gol që mund të kishte sjellë kualifikimin e madh.

Ndeshja me Torinon ishte padyshim diçka e rrallë, jo thjesht për Partizanin, por për gjithë Shqipërinë. Impenjimi ishte maksimal, përkushtim deri në blatim, nëse do të shprehesha kështu. Do të luanim aty ku në fund të viteve ’40 ekipi i Torinos kishte mahnitur jo vetëm Italinë. Mijëra e mijëra evropianë që kishin parë lojën e torinezëve e quanin atë, pa asnjë pikë dyshimi, ekipin më fantastik të kohës në Evropë.

Më 1949, pas një katastrofe ajrore, ata të gjithë shkuan pranë fronit të Perëndisë… Lanë pas vetëm magjinë e lojës së tyre, e cila erdhi deri në kohën tonë (vitet 1950-1970). Futbolli italian ngjiti në yjësinë e korifenjve të futbollit të famshmit Piola, Meazza, Mazzola (babai), Zoff, Rivera, Mazzola (biri), Facchetti, Albertosi, Boninsegna, Riva etj. Ata ishin të mëdhenj.

Vetëm pas 33 vjetësh futboll u ndeshëm me ekipet kampionë të klubeve të Evropës më 1962 dhe më 1964. Partizani luajti me Norrköping-un, Spartakun e Plovdivit dhe me Këlnin; 17 Nëntori më 1965 luajti në Kilmarnock të Skocisë. Nuk u kualifikuam asnjëherë. Fituam vetëm një ndeshje në Tiranë 1-0 me bullgarët. Spartaku ishte një ekip i futbollit lindor. Sa për ndeshjet jashtë Shqipërisë, ato ishin tejet të vështira dhe me humbje. Si ndeshje më të mira mbaheshin ajo e Partizanit në Këln dhe e 17 Nëntorit në Skoci.

Nëse do t’u referoheshim fillimeve të këtyre ndeshjeve, përsëri do të krenoheshim, sepse ato sollën përballje plot afsh e zjarr në dyluftimet me futbollistët e huaj të kalibrit më të lartë evropian. Faktikisht rezultatet janë humbje, gjithsesi unë i ngre ato lojëra në nivelin e ajkës futbollistike evropiane. Sa është e vërtetë? Duhet të kujtojmë që në shumë ndeshje, rezultatet e tyre mbetën përfundime të gjykimeve përbuzëse të gjyqtarëve të huaj, dukuri të njohura jo vetëm ndaj skuadrave shqiptare. Sikur gjykimet të kishin qenë më të drejta, do të fitonim pa diskutim ato lojëra ku ekipet tona feksnin me një lojë virtuoze e mjeshtëri të kohës.

Klubet e futbollit të Evropës Lindore nuk kishin këlqe të ngjiteshin deri në majën e piramidës futbollistike evropiane. Partizani fitoi ndeshje me klubet lindore në Leipzig dhe Hanoi më 1958, dhe më 1963 fitoi edhe në Kinë. Dinamo pati fituar në R.D. Gjermane, por edhe në Çekosllovaki më 1956. Më kujtohet kur në korrik të vitit 2009, skuadrat tona që morën pjesë në garat e Evropës u mundën 8-1, 5-0, 3-0 dhe 4-1 me ekipe që nuk ishin elitë. Ndaj, duke e parë historikun e ndeshjeve ndërkombëtare, rezultatet duhen vlerësuar në raport me vlerat dhe potencialet futbollistike të ekipeve kundërshtare. Ka shumë ndeshje të ekipeve tona që kanë luajtur me skuadra të rangut të dytë dhe të tretë. Tabloja futbollistike që po sjellim sot paraqet rezultatet me ekipet ballkanike dhe evropiane që kanë qenë kampione, fituese të kupave ose ekipe futbolli nga qytete apo shtete me popullsi 50-fish më të madhe se skuadrat tona.

Partizani, nga e majta: Shllaku, Janku, Rragami, Jashari, M. Gjika, Bizi, Shaqiri, Vaso, Bajko S. Gjika, Pano.

Përballë Torinos në Tiranë

Viti 1968 solli rastin e dytë të madh. Pas ndeshjes me kampionin e RF Gjermane, Këlnin, shorti përcaktoi që Torino do të luante ndeshjen e parë në Tiranë me Partizanin. Nuk mund ta harroj dot atë ndeshje. E arritëm fitoren e parë kundër një ekipi famëmadh perëndimor. Kapëm gjysmën e mundshme të suksesit. Emocionet ishin të pafundme. Gjysma tjetër na priste në lojën e kthimit, në një stadium përtej Adriatikut.

Botën sportive të Italisë fqinje nuk mundeshim kurrsesi ta përfytyronim me gjithë imazhin e saj të plotë. Na dukej sikur ishte ëndërr që do të luanim në stadiumet italiane. E megjithatë, ne ia dolëm mbanë në Tiranë. Tre gazetarë sportivë (B. Dizdari, I. Bellova, O. Palushi), ndërmjet të tjerave për ndeshjen me Torinon, shkruajnë në librin “Sporti ynë” (fq. 205, botimi 1981): “Ishte një nga takimet më afirmuese të futbollit tonë, të arritur përsëri ndaj një kundërshtari me tradita dhe me emër, ku M. Janku, M. Gjika e në mënyrë të veçantë T. Vaso dhe L. Shllaku qenë zotë të situatës, ndërkohë që R. Ragami dhe S. Bizi për 90 minuta mbajtën plot siguri mbi shpatullat e tyre organizimin e lojës”.

Pasqyrimi i vlerave të vërteta është produkt i aftësive mendore për të njohur, për të dalluar e për t’i klasifikuar ato sipas veçorive dhe madhësisë së tyre. Komentatori i shkëlqyer, I. Bellova, dhe teoricieni me shumë zë i kohës, M. Papadhopulli, shkruanin për ndeshjen në fjalë në gazetën “Sporti Popullor”, datë 24.9.1968: “Vaso erdhi duke e ngritur vazhdimisht nivelin e lojës së tij, aq sa u bë dominues i plotë në anën e vet”.

Pena virtuoze e Besnik Dizdarit shkruan: “Partizani ndërkaq përforcohet me Teodor Vason e Skënderbeut dhe Ramazan Ragamin e Sabah Bizin e Vllaznisë, dhe në fushën e blertë derdhet një 11-she thuajse e pagabueshme, në harmoni të plotë, ku gjejmë plot 8 futbollistë të kombëtares: M. Jankun, M. Gjikën, T. Vason, R. Ragamin, L. Shllakun, Bizin, Panon dhe Jasharin. Forca dhe elasticiteti i portierit Mikel Janku, përballë të cilit qëndronte treshja e pagabueshme e mbrojtjes: Mihal Gjika, Spiro Gjika dhe Teodor Vaso, e udhëhequr nga përvoja e pagabueshme e korçarit të madh, pranë së cilës do të gjendej si gjithnjë dyshja e gjysmëmbrojtjes L. Shllaku dhe Ramazan Ragami, e cila lidhej orë e çast me Sabah Bizin e ri në rolin e qendërsulmuesit të tërhequr. Ndërkaq në sulm luanin Neptun Bajko, Pëllumb Shaqiri dhe Robert Jashari, që me pjekurinë e tij dërgonte topin te i papërmbajtshmi P. Pano, gjithmonë i aftë të trondiste një ekip të tërë”.

B. Dizdari thekson gjithashtu se kjo ishte 11-shja e Refik Resmes, i cili mbasi kishte lënë pas karrierën e tij magjike si futbollist, regjistronte në historinë e tij këtë kujtim madhështor si trajner. Fitorja e asaj loje u mbyll edhe me një çudi që nuk harrohet kurrë. I madhi Pano, i ndodhur vetëm me topin që i kishte kapërcyer duart portierit italian Vieri, 6 metra larg portës bosh, nuk e la topin në rrugën e vet që të pushonte në rrjetë. E goditi duke i ndryshuar trajektoren. Ideja që të gjuante rreptë për të flakëruar ndjenjat e sportdashësve me tundjen e fortë të rrjetës, e dërgoi topin mbi shtyllë, te ora e stadiumit. Kur Pano u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” (2009), mbreti i lojës shqiptare i tregonte në fushën e stadiumit “Qemal Stafa” gazetarit Dëfrim Methasani se si kishte ndodhur çudia.

Vlerësimet

Në fund të ndeshjes, trajneri i Torinos, Edmondo Fabbri, u shpreh: “Vetëm humbjen nuk e parashikuam. Kur vendasit kaluan në avantazh, e kuptova se jo vetëm s’mund të fitonim, por as për barazim s’bëhej fjalë. Më ka pëlqyer e gjithë skuadra juaj. Luajti me ritëm, na imponoi vullnetin e saj dhe diti të fitojë”.

Vlerësime nga të huajt do të merrnim edhe më pas. Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Hans Bangerter, pas ndeshjes Shqipëri-Gjermani (17.02.1971) tha: “Pashë dy skuadra shqiptare të zgjedhura nga dy milionë futbollistë”. Të paktën përfundimi më i drejtë duhet të ishte barazimi (flitet për dy ekipe përfaqësuese dhe të rriturit).

Në librin “Sporti ynë”, botim i vitit 1981, fq. 204, shkruhet: “18 Shtator 1968, Partizani – Torino 1-0. Partizani fitoi mbi ekipin e fituesve të Kupave të Evropës, veçse është një rezultat që nuk pasqyron atë epërsi të dukshme, atë lojë aq të bukur të fitueses sonë të Kupës. Sidoqoftë, është ndër fitoret më tërheqëse nga skuadrat tona të klubeve, sepse u arrit përballë një skuadre fituese të Kupës së Italisë, përfaqësuesja e së cilës vetëm 3 muaj më parë ishte shpallur kampione e Evropës në futboll.”

Gazeta “Sporti Popullor” e datës 05.07.2005, me titull: “Si gjunjëzova ekipin e madh të Torinos në Tiranë” dhe me nëntitull: “Flet ish-mbrojtësi i tmerrshëm i Labinotit, Mihal Gjika”, thekson se minimalisht ndeshja duhet të kishte përfunduar 2-0 për ne.

Drejt Torinos

Kishim mbërritur në aeroportin e Romës. Autobusi na la në qendër të qytetit, te stacioni “Termini”. Në një nga pallatet në krah të tij, ndërtesa dallonte me një korridor të hapur në të dy anët. Në çdo 5-6 metra vijonin kolona të gjera sa shpatullat e një burri. Nga sheshi i stacionit nuk shikoje se çfarë kishte mbrapa kolonave. Sapo hymë në korridor për të kaluar në krahun tjetër, u habitëm. Në çdo kolonë qëndronte e mbështetur një bukuroshe që priste fatin e saj.

Ndërkohë, duke ecur ngadalë e duke u shtirur sikur asgjë nuk na bënte përshtypje, me bisht të syrit mundoheshim të dallonim fytyrën, veshjen, trupin dhe këmbët e femrave që ishin në pritje. Atë kohë, nëpër Evropë, ne shqiptarëve na befasonin rrugët e gjera, të pastra e të asfaltuara, si dhe ndërtesat me stil që nuk i kishim parë; por bota e Perëndimit përfytyrohej më së shumti me snobizëm.

Aty ku shkuam, patëm rastin të shikonim jo vetëm Koloseun, por edhe statujat mijëvjeçare e ndërtesat po aq të moçme. Ndërtimet anë e mbanë mbanin kostumin gri ose të bardhë; dallonin vetëm ato ku dominonte xhami. Shkëlqimi dhe farfuritja e beftë vinte kur gjendeshim në rrugët dhe zonat moderne me vitrina vezulluese, kënde lojërash mbresëlënëse dhe lokale luksoze. Përveç vitrinave dhe lokaleve, ngjyra e botës perëndimore nuk ofronte më shumë se ëndërrimet tona me lajle-lule.

Në këtë ndeshje mungoi dhe një nga më të mirët e Partizanit, Robert Jashari.

Kanistrat me bukë çuditën italianët

Më së fundi mbërriti koha e drekës. Katër e nga katër u ulëm në tavolinat e një restoranti të vogël afër stacionit “Termini”. E dini çfarë ndodhi? Kur të gjithë kishim zënë vend nëpër tavolina, kamerieri, një djalosh qumështor, vuri në çdo tavolinë kanistrën me françolla të vogla. Ne filluam të përtypeshim dhe të bisedonim, duke shtyrë kohën në pritje të pjatës së parë. Kaloi vetëm një çast dhe kanistrat u boshatisën. Kamerieri nxitoi të mos i linte kanistrat bosh dhe solli françolla të tjera. Shefat pinin cigare.

Kamerieri kaloi afër tavolinave dhe ndaloi në fund të sallës. Vumë re se ai mbeti tejet i hutuar. Vështroi nga tavolinat dhe nuk po u besonte dot syve: kanistrat ishin boshatisur përsëri. “Ancora panine”, foli një nga djemtë e tavolinës. “Jemi nga fshati ne”, tha Gjergji Shule. Qeshëm. Djaloshi nxitoi për nga kuzhina. Përballë meje, një burrë i thyer në moshë që drekonte me një fëmijë, pyeti diçka kamerierin. Dukej se po pyeste se kush ishim ne. Kur mori përgjigje, nëpër fytyrë i kaloi një nënqeshje. I habitur, ai uli pak kokën dhe filloi të shikonte sipër syzeve nëpër tavolinat tona.

Fap, dhe radion e lokalit e fikën. Transmetonte këngë të Domenico Modugno-s. Tek dera që lidhte kuzhinën me sallonin u duk një burrë trupmadh. Trupin ia mbulonte përparësja e bardhë. Në vesh kishte harruar një gjysmë lapsi. Kamerieri që kishte fikur radion qëndronte në krah të tij; ishte një pëllëmbë më i shkurtër se i zoti i lokalit. Ai herë ngrinte kokën e shikonte pronarin, herë pas here hidhte vështrimin nga tavolinat tona. Priste urdhrin e ustait se çfarë duhet të bënte.

Pronari, me duar në bel, rroku me shikim të gjitha tavolinat. Gjithçka kishte qenë e pabesueshme. Ne kishim konsumuar gjithë sasinë ditore të bukës që harxhonte lokali për të gjithë klientët e tij. Xani (R. Ragami) më tha me zë të ulët: “Me siguri që ata tani janë duke thënë: Ç’janë këta të babëzitur!”

Kaluan vetëm pak minuta dhe ne pamë në mes të sallës një thes të madh të bardhë. Nga thesi dilte avull. Kursesi nuk na shkonte ndërmend se çfarë kishte ai thes brenda. Avulli që dilte nëpër pëlhurën e mbledhur të grykës të befasonte. Kamerieri i përveshi grykën thesit dhe nisi të nxirrte që andej françolla të vogla e të rrumbullakta, sa një grusht foshnje. Duke ecur për nga kuzhina, djaloshi ndaloi, lëvizi papionin drejt qafës, e la prapë në qendër dhe pastaj, duke hedhur sytë nga ne, foli: “Tani merrni sa të doni!”

I mbushëm përsëri kanistrat. Nuk ndodhi ndonjë hatà, por në atë lokal, atë mbasdite, ne çuam një copëz nga jeta jonë shqiptare. Të tjerët u befasuan. Kur përfundoi dreka, d

Perballja me Torinon

Në stadiumet e Këlnit, të Mithat Pashës në Stamboll apo në Dortmund, ku luajti kombëtarja, njerëzit gëlonin cep më cep. Ata qëndronin të ngjeshur aq shumë me njëri-tjetrin, sa dukej sikur sillnin pulsimin e një gryke vullkani që nga çasti në çast mund të shpërthente. Ashtu ndodhi kur filluan golat.

Stadiumet e Lindjes fotografonin në kujtesën tonë shumë zbrazëti. Stadiumi i Torinos, me zona të vogla pa spektatorë, mbante shumë më tepër njerëz se sa stadiumi “Qemal Stafa”. Stadiumi ynë ditën e ndeshjes u mbush plot e përplot, por në Torino dukeshin më pak njerëz, sepse stadiumi komunal ishte 3-4 herë më i madh se kryestadiumi shqiptar.

Italianët na goditën tri herë me radhë. U shokuam. Rezultati e shpërbëu befasisht tharmin zanafillës të moralit dhe të pikësynimit tonë, por siç thuhet, dhimbja duhej të kthehej në forcë. Si një kafshë e egër e goditur rëndë, u turëm të tjetërsuar drejt portës torineze. S’kishte më kuptim të mbajmë fishekët që na kishin mbetur; filluam inkursionet për të goditur portën përballë.

Çuditërisht, e kuptuam situatën e vërtetë: tek ne gjendeshin forca të ndrydhura. Neptun Bajko shënoi golin tonë dhe rezultati kaloi në 3-1. Çasti kërkonte sfidën. Nëse shënonim edhe një gol, kualifikoheshim për turin tjetër. Iniciativa kaloi plotësisht në veprimet tona. Sulmi ynë, me në krye Pano-n, filloi të alarmojë mbrojtjen torineze. Në zonën e rreptësisë së italianëve, dy mesfushorët S. Bizi dhe R. Ragami nxorën shqetësime të tjera. Ne të dy, me M. Gjikën, nga pozicioni i mbrojtësve anësorë, filluam të kalojmë edhe në rolin e sulmuesve të krahut.

Për këtë situatë, trajneri Loro Boriçi shkruan: “Në këto momente vendasit vunë në veprim të gjitha forcat për të përballuar sulmin e tanëve, që nuk bëhej vetëm nga sulmuesit, por herë pas here arrijnë të marrin pjesë si M. Gjika ashtu edhe T. Vaso”. (Gazeta “Sporti Popullor”, 08.10.1968. Torino-Partizani 3-1).

Deri përpara ndeshjes me Torinon, pata shënuar mjaft gola me ekipin e Skënderbeut. Në ndeshjen me RF Gjermane në Tiranë, më 17.12.1967, u dëmtova në sulm, afër vijës fundore të portës së gjermanëve. Ka shumë çaste kur lojtarët janë afër golit, dhe ja, edhe unë, afër fundit të ndeshjes me italianët, kërkova të kërcënoja mbrojtjen e Torinos. Ia arrita qëllimit. Në çastin final mbërrita brenda zonës së 16-metërshit. Doli përpara dhe pak anash mbrojtësi i fundit, i cili duke ndjerë rrezikun nga vrulli im thirri: “Mamma mia!”.

Shpejt u dublua nga një mbrojtës tjetër, i cili duke u larguar nga zona e tij, la të zbuluar një sulmues tonin. Lojtari ynë ndodhej përballë portës kundërshtare. U duk se erdhi çasti i golit; nuk e gjuajta topin, ia kalova sulmuesit tonë, por ai u vonua në gjuajtje. Njëri nga mbrojtësit italianë ndërhyri dhe evitoi rastin për gol.

Pak kohë më parë kishte hyrë në veprim rregulli që goli i shënuar në transfertë vlerësohej dyfish. Ne kishim shënuar një gol në Tiranë. Një gol në Torino, i marrë dyfish, na çonte në shifrën prej 3 golash, aq sa edhe torinezët që kishin shënuar atë ditë 3 gola. Kur ra bilbili i fundit, filloi hutimi. Ne prisnim të fillonte shtesa e lojës. Asnjëri nuk na bënte zë për t’u larguar nga fusha. Kur spektatorët po boshatisnin shkallët e stadiumit, filluam të kuptonim se diçka nuk po shkonte. Problemi ishte shumë i thjeshtë: goli në transfertë quhej (dhe quhet ende) dyfish vetëm kur rezultati i përgjithshëm i dy ndeshjeve del i barabartë. Dy ndeshjet tona përfunduan me fitoren e Torinos 3-2. Nuk kishte barazim.

Kthimi në atdhe

Besnik Dizdari përcjell në historikun për sportdashësit se rezultati 3-1 i Torinos, më 2 tetor 1968, kishte pasur dramaticitetin e tij dhe Partizani e kishte lënë “Stadio Comunale” të Torinos me kryelartësi. Kështu u mbyll kjo ndeshje futbolli. Jemi krenarë sot e kësaj dite për historinë modeste të futbollit shqiptar, i cili, falë atij Partizani të paharrueshëm dhe fitores së tij të bujshme, prekte me gjithë forcën e talentit të djemve të tij të pazëvendësueshëm Evropën Perëndimore të futbollit (B. Dizdari, “Futbolli Shqiptar”, Magazinë, 8.10.2003).

Një ditë pas ndeshjes, treni do të na çonte në Romë e më pas do të niseshim për në Tiranë. Kur lamë hotelin, ishte një mëngjes i freskët vjeshtor. U futëm në rrugën kryesore të qytetit. Disa ditë më parë, prezantuesi italian që qëndronte në krye të autobusit u kthye nga ne papritur, duke u mveshur fjalëve: “Zotërinj, rruga nëpër të cilën po kalojmë është rruga kryesore e Torinos; quhet ‘Via Roma’. Brenda kufijve të qytetit ajo zgjatet plot 40 km”.

Anës trotuareve njerëzit nguteshin të mbërrinin diku. Mijëra makina, të vogla e të mëdha, turreshin vrullshëm sikur t’i mbante dikush nga mbrapa. Teksa shikoja konturet e qytetit, më dukej sikur ai na përshëndeste me pamjen miqësore. Ishte thjesht një fakt i vetëm: qyteti italian në veriperëndim të gadishullit Apenin na nxori prej vetes faqebardhë. Autobusi i klubit të Torinos na la përpara hyrjes së stacionit të trenit. Një sy praktik na dallonte lehtë që ishim ekip me petka të reja, disa me këmisha të kollarisura; u futëm në platformën e stacionit dhe ndaluam aty ku na çuan shoqëruesit.

Video

(Marre pjeserisht nga shkrimi i Vepror Hasanit)

Komentoni!

Abonohu

Abonohu që të marrësh të gjitha lajmet me email.

INSTAGRAM

Komentet e fundit

  1. Presidenti dhe klubi duhet ta kundershtojne me force kete padrejtesi, sepse eshte bere si e modes qe arbitrat gabojne ndaj…

Lajme te Tjera

Homepage | About Us | Privacy Policy

Zbuloni më tepër nga Partizani.net

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin