Robert Jashari, kolosi i Partizanit që shpiku golin “akrobatik”

Ka qenë një kolos i futbollit shqiptar. Titullar për shumë vite me Partizanin e madh dhe i skuadrës kombëtare, autori i golit të parë historik gjysmë shekulli më parë në Irlandën e Bestit. Tri herë golashënues, pastaj trajner, një karrierë e papërsëritshme, unik në stilin e të luajturit, po kështu edhe në drejtim. Një Pushkash për forcën, energjinë dhe golat e realizuar, por edhe një Van Gal i vërtetë për dinamikën që transmetonte nga stoli. Autoritar, askush nuk ka mundur ta kundërshtojë. Një jetë, plot ngjarje të patreguara për Robert Jasharin, sulmuesin që zëvendësoi Boriçin, dhe miqësia me Panon, Bespallën. Jo vetem gola e fitore me Partizanin por edhe triumfet e paharruara me “Dajtin”, “31 Korrikun” e “Kastriotin”, qytete që morën famë falë pasionit të tij.

Ai ndërroi jetë muajin e kaluar, ne 22 Janar 2022, por ai do te mbetet gjithnjë ne zemrat e tifozëve te kuq dhe pjese e historisë se futbollit shqiptar.

Femijëria

Djali i një familje të shkolluar në Perëndim, me babanë e diplomuar në Romë, por që shumë shpejt e la jetim: papritmas u nda nga jeta, duke lënë dy djem: Maksimin dhe Robertin 3-vjeçar. E ëma, me origjinë shkodrane, rimartohet me një italian të mbetur pas lufte, me të cilin lind Marion, vëllanë e tretë (i cili fatkeqësisht nuk jeton). Italiani, me dëshirën për t’u kthyer në shtëpi, i kërkonte gruas së tij që, së bashku, të largoheshin nga Shqipëria. Por, nga kriteret e aplikuara nga shteti shqiptar për të huajt, vetëm Mario mund të ikte me ta. Për të mos lënë tre fëmijët e ndarë, ajo vendosi të qëndronte e të sakrifikonte e pamartuar në Shqipëri, ndërsa burri i saj u largua për në Itali, për të mos u takuar më. Kështu fillon jeta e Robert Jasharit në Shtëpinë e Fëmijës dhe konvikte.

Vetëm një fanellë… Partizani

Si futbollist e gjejmë me të rinjtë e Partizanit e Tiranës, duke vijuar me “Spartakun” në Kategorinë e Dytë, për t’i lidhur përfundimisht me Partizanin në vitin 1956. Transferimi u realizua në kuadrin e mobilizimit për të kryer shërbimin ushtarak dhe, pas këtij momenti deri në çastin kur la futbollin, jeta, karriera sportive e tij është vetëm me këtë klub, si futbollist dhe trajner. Nga Rexhep Spahiu, Boriçi, Resmja, Pano, Papadhopulli, Ndini, Kraja, Shllaku, Haxhiu, Deliallisi, Merja, Maliqati, Mikel Janku shumë të tjerë, janë pjesë e pandarë e tij. Niko Bespallën e ka pasur “pak më shumë mik”, në veçanti kur ai luante me Partizanin.

Ishte vetëm 18 vjeç dhe i sapoardhur te Partizani. Trajneri Rexhep Spahiu e kishte spikatur si një talent e duke aktivizuar si zëvendësues. Madje, me numër 11 (nr. 10 dhe 9 kanë qenë të tijat), është futbollisti që startin e karrierës, si askush tjetër, e ka të lidhur me një detaj: ka zëvendësuar të famshmin Loro Boriçi, kur ky luante takimet e fundit si futbollist. Por, në të njëjtën kohë, (fundvitet ’50-’60) ka qenë i diplomuar edhe si trajner me Kategorinë II, duke stërvitur skuadrën e pionierëve të Pallatit të Pionerëve, nga i cili kanë filluar karrierën Gani Xhafa, Skënder Hyka, por edhe Medin Zhega.

Medaljet e Hanoit dhe Lajpcigut

Është pjesëtar i skuadrës së Partizanit, triumfues me medaljet e argjendta në dy turnetë më të famshëm të kohës, siç kanë qenë ato ushtarake, në Lajpcig në vitin 1958 dhe në Hanoi në dhjetor të ’63-shit. Në këtë të fundit ka qenë shënuesi më i mirë, me 11 gola. Në ndeshjen ndaj “Forversit”, në të cilin Pano shënoi tre gola, njëri prej tyre, i dyti është një asist ideal i Jasharit për të. Në karrierën 15-vjeçare, Jashari është shpallur 7 herë kampion dhe ka fituar 6 kupa me Partizanin dhe kur ishte 21 vjeç, në vitin 1958 ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti”.

Goli në Irlandë

Tre janë golat që mund të konsiderohen historikë për futbollin shqiptar: goli i Kolec Krajës, si i pari në Kupën e Kampioneve për një klub shqiptar, i realizuar ndaj Norçepingut 1962 në “Qemal Stafa”; ai i Shaqirit shënuar në Kupën e Kupave në të parën sfidë europiane për këtë trofe të një skuadre shqiptare, viti 1968 PartizaniTorino 1-0 dhe ai i Robert Jasharit, i regjistruar nga skuadra kombëtare në një aktivitet zyrtar, shënuar edhe në transfertë, siç ishin eliminatoret për Kampionatin Botëror “Angli 66”. Gjysmëshekulli më parë, në Belfast, Irlandë e Veriut-Shqipëri 4-1. Pikërisht më 7 maj 1965, sapo ka filluar fraksioni i dytë (2-0 për vendësit), e 51-të, Jashari ka shfrytëzuar një kombinim në zonë, ka goditur dhe rrjetë në portën e Xhenings. Takimi ka përfunduar 4-1, madje me protagonist edhe Xhorxh Bestin, autori i golit të katërt. Jashari debutoi me kombëtaren e Konçit në ndeshjen Holandë-Shqipëri 2-0, në Roterdam, në maj të vitit 1964, dhe të fundit me ngjyrat kuqezi e ka pikërisht në Belfast, duke arkivuar një gol dhe 5 takime me përfaqësuesen. I pranishëm në turnetë me Olimpike të kohës dhe, në të gjitha takimet për Kupat e Europës, ato Ballkanike, luajtur nga Partizani në harkun e viteve ’60-’70.

Këpuca e Artë

Robust, i fortë e goditës me të dyja këmbët. Kishte një gjuajtje elegante dhe të fuqishme, vepronte mirë edhe me kokë, por ishte gjithashtu edhe shumë akrobatik. Bënte kthesa të shkëlqyera dhe ishte mjeshtër i goditjeve standarde, duke realizuar me të gjitha mënyrat, e kundër të gjithëve. Ka luajtur dhe ka shënuar në periudhën kur futbolli ishte në kulmin e rivalitetit sportiv të tri skuadrave kryeqytetase dhe garës së gjigantëve të golit, nga Resmja, Jareci, Lubonja, Pano, Zhega, Dauti, Hyka, goleadorët e viteve ’60-’70. Në tri sezone: 1962-’63 18 gola; në 1963- ’64 9 gola dhe ’64-’65 ka realizuar 14 gola, duke u shpallur tri herë radhazi si goleadori më i mirë shqiptar. Ka edhe dy gola që u takojnë sfidave derbi me 17 Nëndorin, në kohën kur rivaliteti ishte i madh. I pari në finalen e vitit 1966, për titullin kampion: 17 Nëndori-Partizani 2-1. Goli për të kuqtë ka firmën e Jasharit. Pastaj më 25 qershor 1967, sërish në “Qemal Stafa”, sfida është mbyllur 2-1 për kryeqytetasit, me gol të të zakonshmit Jashari për Partizanin (ishte takimi pas të cilit skuadrat u përjashtuan nga kampionati). Edhe nga pika e bardhë ka qenë i pagabueshëm, madje Pano e “toleronte” kur topi vendosej në diskun e 11-metrave. Vetëm në një rast, kur luhej Partizani-Besa dhe në portë për kavajasit ishte Shefqet Topi, ka mundur ta devijonte jashtë kuadratit topin, por më pas portieri pat konstatuar se kishte dëmtuar dorën e djathtë nga forca goditëse. Stërvitej me orë të tëra bashkë me Mikel Jankun në përfundim të seancave duke goditur nga 11 metrat.

Të jesh tri herë golashënues është e vështirë të përcaktosh edhe golat më të bukur. Por Jashari do të mbahet mend gjatë edhe për golin në Gjirokastër ndaj vendësve… Në pamundësi për të goditur topin pasi ishte i lartë, në një çast të vetëm, falë intuitës dhe aftësive individuale, ka shpikur goditjen akrobatike me thembër: me duart e vendosura në tokë dhe këmbët lart, ka kryer goditjen e rrallë dhe gol ashtu siç shënonte portieri i famshëm, Higuaita. Ndaj Levskit të Sofjes, në “Qemal Stafa” i ndodhur në zonë, sërish me një vertikale si në Gjirokastër, goditje e paparashikueshme me thembër në lartësi: gol spektakolar, i paparë, që i ka habitur të gjithë. Vllaznia e Shkodrës, qyteti i nënës së tij, është skuadra që i ka shënuar në mënyrë sistematike. Vetë shkodranët kur shkonte atje i thoshin: “Je nip prej Shkodre, ne na gjete me na shënu gola?!”

Pas Torinos, la futbollin

Një karrierë fantastike por qe ka nje fund të hidhur dhe të pamerituar. Jashari e la futbollin menjëherë pas një vendimi të papritur ne 1968. Partizani luajti për Kupën e Kupave me “FC Torinon”, në shtatorin e vitit 1968, në Tiranë. 1-0, me gol të Shaqirit, me Jasharin në formacion. Pas dy javësh ishte ndeshja e kthimit. S’e mendoi se nuk do të ishte në listë, pasi nuk kishte arsye, është lojtar formacioni, i njohur, me emër e famë. Por, gjithç- ka ka ndryshuar kur kanë lexuar emrat dhe Bert Jashari nuk ishte pjesë e skuadrës me motivin se ka të afërt në Itali. Kaq mjaftoi për të marrë vendimin historik për të dhe klubin duke e lënë futbollin. Nuk njoftoi askënd dhe në stërvitje nuk doli më. E kishte bërë fakt të kryer: Jo më futboll! Një braktisje “agresive” dhe e papritur për të gjithë. Por, kthim mbrapa nuk pati. Në janar të vitit 1969 është bërë më vajzë, lindjen e së cilës e lidh edhe me largimin nga futbolli, kur ishte 31 vjeç, kur ende mund të luante. Pastaj trajner me brezat e klubit, “Yllin e Kuq”, Apoloninë, Butrintin, e drejtor teknik i Partizanit.

Jashari si trajner

Ai e nisi karrieren e trajnerit ne Burrel te “31 Korriku”, edhe pse skuadra matjane luante në Kategorinë e Dytë, por me një kusht: T’i siguronin vajzës së tij të drejtën e studimit Gjuhët e Huaja, të mohuar në vite. Shumë mik me Hysen Shahun, njeriu që e mbështeti sportin, ndërtoi stadiumin në këtë qytet, nisi gjithçka nga e para: Me vullnet e pasion, me egon që e karakterizonte, katër vite të paharruara (1980-’84) dhe skuadra si asnjëherë në të kaluarën, arrin të luajë në elitën e futbollit shqiptar në Kategorinë e Parë. Janë vitet e lavdishme të “31 Korrikut” surprizë, skuadra Farukut&CO, tronditën klube me histori, madje duke sfiduar këdo. Dhe trajner ishte Bert Jashari. Bashkë me triumfet, pas fjalës së dhënë e premtimit të marrë, edhe vajza siguroi arsimin e lartë.

Nuk ka përfunduar vetëm në Burrel kontributi i Robert Jasharit. Me moton se “trajneri i mirë dhe i aftë njihet në skuadra jo të mëdha”, ka punuar te “Dajti” (1972-’73-’74), një skuadër modeste e rrethit të Tiranës, duke e nxjerrë në Kategorinë e Parë. Seleksionoi, punoi dhe ka meritën e padiskutueshme se arriti ta shpallte këtë skuadër krejtësisht pa emër, kampione, duke i siguruar pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë. Por, nuk luajti, pas një vendimi të marrë se vetëm tre klube nga kryeqyteti kanë të drejtë të përfaqësojnë Tiranën në Kategorinë e Parë, ndonëse në të kaluarën nuk ishte ndjekur kjo praktikë.

Pastaj me Kastriotin (1995- ’96) është një tjetër faqe spektakolare e Robert Jasharit si trajner. Vetëm në pak kohë, skuadra e formuar, e ngritur dhe e ideuar prej tij, arriti majat kur fitoi në finalen e luajtur ndaj Skënderbeut në Tiranë dhe siguroi pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë. (Ishte ndeshja e penalltive, nga të cilat portieri krutan priti 3 nga pesë të gjuajtura nga korçarët).

Truket e famshme të Jasharit

Ka pasur një ndjeshmëri, intuitë e zgjuarsi të rrallë për të interpretuar çdo tension e situatë në prag të sfidave delikate. Çdo gjë e ndërtonte sipas Kantonit, zonës ku ishte. Ndaj Skënderbeut, shfrynte topat, pasi e njihte mënyrën e lojës së korçarëve. Por jo në pak raste ka përdorur truket, ashtu si shumë trajnerë të shquar, që në momente e çaste historike kanë aplikuar mekanizma të padëgjuara e praktikuara më parë. Ja një rast: ishte java e fundit e Kategorisë së Parë dhe luhen dy takime shumë vendimtare: Në Burrel, 31 Korriku-Flamurtari dhe në “Qemal Stafa”, 17 Nëndori-Labinoti. Dy të parat luajnë për fitimin e titullit, ndërsa kundërshtarët janë për të mos rënë nga kategoria. Para takimit, Jashari, trajner i 31 Korrikut thërret magazinierin Sul Trumci dhe e këshillon të vendosë rrjetat e vjetra e të largohet duke mos dalë deri në çastin kur të njoftohet. Ndërsa kanë bërë nxehmjen, në fillim të lojës, asistentët e arbitrit Dhori Prifti kanë konstatuar se rrjetat janë të çara dhe loja nuk mund të fillojë deri në zëvendë- simin e tyre. Me kohën që kalonte dhe në kërkim të magazinierit, Bert Jashari dërgon në postë shefin e klubit Simo, i cili informon Radio Tiranën për emisionin sportiv “Nga njëra ndeshje tek tjetra” (kështu bëhej lidhja në ato vite), se 31 Korriku ka shënuar dhe është në avantazh 1-0. Pas njoftimit të dhënë, u çorientuan të gjithë, ndërkohë që 17 Nëndori shkatërron 2-0 Labinotin dhe nga ana tjetër në Burrel, me ardhjen e magazinierit dhe vendosjen e rrjetave të reja, loja filloi 30 minuta me vonesë, që fitohet 2-1 nga vendësit. Truku i përdorur rezultoi efikas: 17 Nëndori u shpall kampion dhe 31 Korriku qëndroi në të Parën.

Robert Jashari

Në karrierën e tij 15-vjeçare, Jashari është shpallur 7 herë kampion dhe fitues i 6 kupave me Partizanin.

Në tri sezone: 1962-’63, 1963- ’64, ’64-’65 Jashari është shpallur tre herë radhazi golashënuesi më i mirë shqiptar.

Ai ishte pjesëtar i skuadrës së Partizanit, triumfues me medaljet e argjendta në dy turnetë më të famshëm të kohës, në Lajpcig në vitin 1958 dhe në Hanoi në dhjetor të ’63-shit. Në këtë të fundit ka qenë shënuesi më i mirë, me 11 gola.

Në moshën 21-vjeçare, në vitin 1958 Jashari ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti”.

Komentoni!