
Bilal Agalliu, legjenda e gjallë e çiklizmit shqiptar, me sukseset e panumërta brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhjetë herë radhazi kampion në vitet 1954 -1963, shkroi rekorde jo vetëm në Shqipëri, por edhe në kontinent.
Bilal Agalliu ka fituar numrin më të madh të titujve kolektivë dhe individualë në Çiklizëm. Ai ka fituar plot 11 gara çiklistike personale në vitet 1954, 1955, 1956, 1957, 1958, 1959, 1960,1961, 1962,1963, 1965 dhe 15 rrethe Çiklistike me ekipin e Partizanit.
Po ashtu, Agalliu ka fituar edhe disa gara e veprimtari të tjera jashtë dhe brenda Shqipërisë. Agalliu është lavdia e Çiklizmit shqiptar dhe e sportit në tërësi.
Ai korri suksese të rëndësishme dhe shkroi një histori të bukur. I lindur në një familje me tradita tiranase dhe dashamirëse ndaj sportit, Bilali dha shenjat që në fëmijëri për një sportist me të ardhme.
Dashuria e tij per kete sport lindi nga vellai i tij i madh Xhiku. Ai ishte pronar i një dyqani për riparim biçikletash te Pazari i Ri, në vitet 1945-’50. Bilalit i pëlqente të shkonte te Xhiku, pasi kishte qejf biçikletat.
Fillimisht Xhiku e largonte, por një ditë i sajoi një biçikletë të vogël për trupin e tij, me të cilën ai mori pjesë në një garë që organizohej me shkollat shtatëvjeçare. Duke e parë si një talent, e afrojnë te Partizani, ndonëse nuk ishte më shumë se 15-16 vjeç.
Me një trup të shkurtër, por të lidhur e me muskuj, u kthye dalëngadalë në një çiklist të pakapshëm dhe shumë të shpejtë, aq sa shokët e quanin: “Lepurushi i pakapshëm”.
Bilal Agalliu debuton për herë të parë në Çiklizëm në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë më 1953. Bilali në këtë kampionat habiti të gjithë me cilësitë e tij të shfaqura dhe arriti që të shpallej nën kampion i vendit, duke lënë pas kandidatë të fortë.
Më 1954, në Tetor starton Rrethi Jubilar i Çiklizmit shqiptar me një Agalli tashmë më të pjekur dhe më të fortë për të përballuar garën me1 mijë e 24 km të gjatë dhe të ndarë në 10 etapa. Në këtë Rreth, çiklistik Bilali po tregonte se ishte ndër më të mirët dhe se do të kthehej në një legjendë në këtë sport.
Cilësitë e tij sportive ishin të shkëlqyera, ishte i shpejtë si era e malit dhe nuk pyeste për ngjitje apo zbritje. Koha e realizuar nga Agalliu prej 41 orë, 26 minuta dhe 48 e përshkuar në 1024 km, ishte një tregues i madh për cilësitë tashmë të afirmuara të Bilal Agalliut.
Pas fitimit të këtij Rrethi Çiklistik ndër më të gjatët në Shqipëri, Bilal Agalliu personalisht dhe ekipi i Partizanit do të dominonin për më shumë se një dekadë sportin e Çiklizmit në Shqipëri. Bilal Agalliu triumfoi në dy vitet e tij të parë, duke lënë pas një Çiklist shumë të njohur nga Shkodra me emrin Fadil Murriqi, i cili kishte dalë disa herë kampion i Republikës në Çiklizëm.
Mjafton t’i referohesh shtypit të kohës, për të kuptuar çfarë kolosi ka qenë Bilal Agalliu. Njeri shumë impulsiv, me nr. 1 në fanellë, nuk njihte lodhje, pushime, as kohë të keqe. Të ftohtit apo dielli i nxehtë nuk e frenonin. Aspak “diplomat” kur pedalonte, nuk kishte miq në garë dhe biçikleta ishte miku i vetëm i besuar i tij. Një robot mbi dy rrota, ambicioz si një kompresor e kishte potencialin. I lehtë në peshë, edhe defektet e gomave i kishte më të pakta.

I arsimuar, formuar e stërvitur në Akademinë “Vojo Kushi”, Bilal Agalliu u shndërrua në një sportist legjendë dhe shumë të dashur nga mbarë opinioni sportiv e më tej. Duke qenë një sportist i madh me shumë përvojë, ai u bë një trajner i shkëlqyer, duke nxjerrë nga dora e tij emra të mëdhenj të çiklizmit shqiptar. Agalliu si trajner për gati katër dekada me ekipin e Partizanit, me të cilin ka fituar 15 Rrethe. Në këtë ekip, njëshi i biçikletës shqiptare përgatiti kolosë të vërtetë të biçikletës së kuqe, si Dashamir Rama, Muharrem Ahmeti, Abedin Guzja, Hilmi Gjyzeli, Agron Huqi, Xhavit Gazheli, Sami Kotorri, Haki Nikoci etj.
Me punën e bërë në çiklizëm, Agalliu meriton mirënjohjen dhe respektin më të madh për sakrificat dhe rekordet që i dhuroi këtij sporti në Shqipëri. Me arritjet e mëdha, Bilal Agalliu ka shkruar emrin e Shqipërisë në historinë e artë të çiklizmit europian. Ai u nda nga jeta pothuajse 10 vjet me pare, ne moshën 81-vjeçare.






Komentoni!