
Tedi Cara ka shënuar golin e vetëm për ekipin e tij në humbjen 1-2 ndaj Zorya Luhansk, një rezultat që vulosi rënien e Oleksandriya-s nga elita e futbollit ukrainas. Pavarësisht dështimit të skuadrës, sulmuesi shqiptar pritet të ndryshojë ambient gjatë verës, pasi performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve më të forta.
Kjo situatë është me shumë interes edhe për drejtuesit e Partizanit, të cilët “fërkojnë duart” duke pritur përfitimet financiare, pasi klubi i kuq ka ruajtur një përqindje të konsiderueshme të kartonit në rast rishitjeje.
Në një intervistë për “Mega Sport”, Cara zbuloi prapaskenat e merkatos së dimrit, duke konfirmuar interesimin nga skuadrat e shokëve të tij, Rrapajt dhe Hadrojt. Transferimi te Kolos Kovalivka apo Polissya Zhytomyr dështoi në janar vetëm për shkak të pretendimeve të larta ekonomike të Oleksandriya-s, e cila kërkonte plot 1 milion euro për kartonin e tij.
Ndonëse ka edhe dy vite kontratë, rënia e ekipit nga kategoria e bën thuajse të sigurt largimin e tij, duke i hapur rrugë një operacioni fitimprurës që do të ndihmonte ndjeshëm arkën e Partizanit për sezonin e ri.





Komentoni!