
Mbase ju kishte marre malli per nje foto the Albert Xhanit? Ai eshte perseri ne lajme pas shume vitesh pasi eshte paraqitur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Ai ka marre pjese ne seancen për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe ka sjellë dëshmi kyçe nga ish-presidenti i klubit, Albert Xhani. Mes akuzave për korrupsion ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezit, dëshmia e Xhanit është fokusuar te përpjekjet e tij “për të mbajtur klubin gjallë” dhe te përplasjet me pushtetin vendor të kohës.
Shndërrimi në Shoqëri Aksionere dhe misteri i pronësisë
Xhani sqaroi se si nisi rrugëtimi i tij në krye të Partizanit, duke theksuar se gjithçka u bë sipas standardeve ndërkombëtare, por me një mungesë të plotë të dokumentacionit të pronësisë për terrenet.
“Në vitin 2000 kemi bërë shndërrimin e shoqatës Partizani në shoqëri aksionere, sipas ligjit dhe sipas rregullave të Fifa dhe Uefa. Unë u zgjodha president. Nga 2000 deri ne 2013 vijuam si shoqëri aksionere. Për terrenet nuk kemi pasur asnjë dokumentacion. Unë kam menduar se aty nuk kishte pronar. Më vonë mësuam se aty ishin nja 200-300 pronarë. Pronarët e klubit nuk e kishin marrë dëmshpërblimin, ato napolonët e floririt,” u shpreh ai.
Sipas tij, e ardhmja e klubit ishte e kushtëzuar nga statusi i tokës. Ai tregoi këshillën e avokatit të tij që parashikoi fundin e kontrollit të klubit mbi ato terrane: “Avokati im më tha: Ka veç një rrugë, nëse destinacioni është për qëllime publike, mund të përfitosh me kontratë përdorimi; nëse del në privatizim, ti nuk merr asgjë. Automatikisht i lind e drejta e parablerjes ish-pronarëve.”
“Pata një fatkeqësi”: Vështirësitë në administrimin e kontratave
Gjatë dëshmisë, Xhani u ndal edhe te momentet e vështira personale dhe dështimet administrative për të siguruar një kontratë afatgjatë me shtetin, pavarësisht kontakteve me zyrtarët e lartë.
“Disa nga pronarët më thanë: Toka është e jona. Më thanë të më japin edhe lekë, por nuk pranova. Pata edhe një fatkeqësi në familje. Unë në atë kohë nuk isha as mirë, për shkak të një fatkeqësie, nuk e menaxhova situatën siç duhej. Ne i bëmë kërkesë Angjelit por nuk e morën iniciativën, ata shoqërisht më thanë që ka pronarë dhe qëndrova pa kontratë. Nuk u lodha as që të bëja kontratë e FDO.”
Përplasja me “Të Gjatin” dhe leja e famshme 15-ditore
Momenti më kulminant i dëshmisë ishte akuza e drejtpërdrejtë ndaj Edi Ramës, në atë kohë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Xhani tregoi se si fillimisht Rama i kishte dhënë garanci, të cilat më pas rezultuan të pasigurta.
“Në vitin 2003 ose 2004 doja të zgjasja fushën, kur ishte Stefan Çipa ministër më dërgonin 1,2 në polici edhe kur bënim fushat e futbollit na vinte policia. Kam shtyer murin për të lozur futbollistët. Unë kam vajtur dhe kam takuar kryetarin e bashkisë Edi Rama dhe kërkoja lejen për fushat e Partizanit. Kishim leje për riparimin e fushave ekzistuese. Më pas kam marrë vesh që pronës i ishte ndryshuar destinacioni. I kam dërguar mesazh, e mora në telefon dhe ai nuk m’u përgjigj, se përse u ndryshua destinacioni. Shkaktari që ne mbetëm pa terrene sportive është kryetari i bashkisë në atë kohë Edi Rama.”
Xhani tregoi me detaje dialogun e parë me Ramën: “I thashë këtij të gjatit, kryeministrit në telefon, ku je. Ishte kryetar bashkie. E lamë të takohemi. Kur e takova i thashë, e kam shtyrë murin. Ti i thashë më jep leje për fushat. Doli leja pas 15 ditësh që fushat e Partizanit. E kam pasur atë lejen deri para pak vitesh me firmën e tij. Ai më tha, nuk ndryshon destinacioni i tyre. Ato ashtu do rrinë.”
Mirëpo, sipas dëshmitarit, “tradhtia” erdhi papritur: “Disa kohë më vonë më merr Birkush Birçe. Më tha: është hapur një varr. Ishte ndryshuar destinacioni. E mora zotin kryeministër, por nuk m’u përgjigj. Nga ai moment nuk kemi folur më. Shkaktari që u bë që ne të mbetemi pa terrene sportive është kryetari i atëhershëm bashkisë, Edi Rama.”

Pavarësia nga Ministria dhe fundi i investimeve
Në pyetjet e SPAK-ut për rolin e Ministrisë së Mbrojtjes, Xhani ishte i prerë: klubi nuk kishte marrë mbështetje financiare prej tyre, duke e quajtur prezencën e shtetit si thjesht formale.
“Ministria donte të mbante stemën dhe emrin, ndaj ishte me 1 % aksionere më duket. Na ofruan edhe 80 mln lekë çdo vit. Unë nuk i pranova dhe nuk kam marrë nga ministria asnjë lek. Janë bërë 3 asamble tek Shqup. Kanë marrë pjesë përfaqësues të ministrisë. U bë konform rregullave dhe ligjeve.”
Lidhur me investimet e kryera nga xhepi i tij, ai deklaroi: “Kemi bërë rinovim të ambienteve. Fushat kanë vajtur 200-300 mijë. Kur jemi larguar nuk kam marrë asnjë send me vete. Kur e merr në lule të ballit nuk i vë më re të tjerat. Nga 2010 nuk ishim mirë nga financat dhe erdhën këta Parot-Barot-Laroy.”
Xhani e mbylli dëshminë duke sqaruar se në vitin 2012 kishte nisur shitjen e aksioneve te biznesmenët e rinj, pasi nuk mund ta përballonte më barrën e madhe financiare të një klubi pa terrene stërvitore.






Komentoni!