
Java e shtatë e gjen Parti zanin në transfertën e Flamurtarit. Sfida në Vlorë do të nisë të dielën në orën 17:00 dhe i gjen të kuqtë në moment delikat. Oltijon Kërnajës i është besuar detyra për të rikthyer ekipin te rezultatet pozitive.
Ndaj Flamurtarit, që është motivuar me Françesko Morieron në krye, nuk do të jetë aspak e lehtë. Te Partizani me shumë gjasa do të ketë revolucion në rrështim nga Kërnaja, i cili në ekipin B dhe skuadrat e mëparshme, ka preferuar rreshtimet 5-3-2 dhe 5-4-1.
RRESHTIMI
Mladen Milinkoviç i qëndroi besnik formacionit 4-2- 3-1 në gjashtë javë të Superiores. Për Kërnajën mund të thuhet se do të hedhë në fushë një skuadër të rreshtuar 5-4-1 ose 5-3-2. Trajneri tropojan ka treguar se preferon 5 mbrojtës, ndërsa mund të alternatojë gjatë ndeshjes. Flamurtari ka dy pikë më pak se të kuqtë dhe mbyll renditjen e përgjithshme. Për shkak të formës së dobët dhe ndryshimeve, mund të thuhet se të dyja klubet po kalojnë të njëjtën situatë.

FORMACIONI
Asgjë nuk mund të thuhet me siguri për 11 titullarët që do zbresin në fushë. Partizani në gjashtë javë ka ndryshuar formacionin gjithmonë, i detyruar edhe nga dëmtimet. E njëjta gjë mund të thuhet për javën e shtatë ku nuk pritet një formacion si në derbi. Partizani rezultoi një zhgënjim, për këtë edhe ndryshimet janë të detyruar. Zëvendësimi i Alban Hoxhës pas pjesës së parë, tregon se Pano Qirko do rikthehet në portë. Para tij me shumë gjasa do të qëndrojnë pesë mbrojtës. Marku, Bytyçi, Preka, Atanaskoski dhe Janjeva ose Sembene. Ky i fundit është rikuperuar nga dëmtimi dhe shfaqet si garanci për prapavijën.
Linja para sulmit është ndoshta dilema më e madhe. Do të jenë 3 apo 4, të cilëve Kërnaja do u besojë. Në derbi nuk patën minuta Mehmeti dhe Isgandarli, ndërsa kjo situatë mund të ndryshojë duke i rikthyer ata në fushë. Shanaj mund të jetë surprizë e Kërnajës po ashtu, pasi mori minuta ndaj Kukësit. Sfida përballë verilindorëve u luajt me dyer të mbyllura, për këtë informacioni është i paktë se si ekipi i Kërnajës do paraqitet kundër kuqezinjve të Flamurtarit. Alternimet qëndrojnë me lojtarë si Garsia dhe Kote, që e nisën titullarë në derbi. Në rast se gjithçka shkon sipas parashikimit, në krye të sulmit do të jetë vetëm një ose në rastin më të mirë dy lojtarë. Skuka, Bintsuka dhe Isgandarli, mes këtyre emrave do të zgjidhet situata për lojtarin që duhet të kthejë Partizanin te goli.
Burimi: Panorama Sport






Komentoni!