Partizani ka mposhtur Kukësin në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, me “demat” që triumfuan në “Kukës Arena” me rezultatin 0-1.
Sfida nisi më mirë për të kuqtë, të cilët provuan disa herë në portën e Tafas, por u goditën nga dëmtimi i Skukës, i cili la fushën me barelë në minutën e 19’. Një zevëndësim i detyruar ishte dhe për Kukësin në minutën e 39’, pasi Da Mota u dëmtua dhe i la vendin e tij në fushë Felipe Rajan.
Goli erdhi në fundin e pjesës së parë nga ish-kapiteni i verilindorëve, Gjelbrim taipi, i cili pas një topi të dhënë nga Cara, shënoi me portën e boshatisur, por nuk festoi në shenjë respekti për ish-klubin ku aktivizohej.
Pjesa e dytë ishte më e vakët, me verilindorët që provuan disa herë për të shënuar, por pa mundur të gjenin dot portën e mbrojtur nga Qirko.
Kështu Partizani hedh hapin e parë drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, teksa sfida e kthimit do të luhet më 5 mars në “Arenën e Demave”.






Komentoni!