Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë në “Euronews Albania”, ku foli për disa tema të ndryshme, kryesisht në lidhje me përgatitjet e ekipit Kombëtar përpara Europianit “Gjermani 2024”.
Përsa i përket futbollit vendas, Presidenti Duka theksoi edhe njëherë besimin që ai ka te formula e re që po aplikohet këtë sezon në “Abissnet Superiore”, kur do të ketë një fazë “Final 4” për të percaktuar kampionin.
Nëse nuk do të mendoja që do të jetë i suksesshëm nuk do ta kisha mbështetur, por nëse rezulton ashtu siç mendoj unë apo jo duhet të presim deri sa të përfundojë. Të gjithë argumentet, se pse mendoj se është i mirë, i kam dhënë dhe mund t’i përsërisë. Ka disa që çfarëdo që të bësh do ta komentojnë negativisht, edhe fakti që jemi në Europian nga disa komentohet negativisht, këtyre ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë.
Por kampionati nuk dëmtohet nga final-four. Të gjitha ekipet po luftojnë për të qenë atje, pra mes katër ekipeve më të mira, pastaj atje përsëri do të kemi një emocion, për të katër skuadrat dhe për të gjithë mbështetësit e tyre, për të gjithë opinionin, për të pritur se kush do të jetë kampion.
Final-four është për të krijuar një emocion tjetër dhe për të pasur më shumë interes nga spektatorët dhe të gjithë mbështetësit e futbollit në përgjithësi. Për ta përmbledhur, unë mendoj që është e mirë, për ta vërtetuar duhet të presim, nuk mund të presim vetëm një edicion, por mund të bëhet një ndryshim pozitiv dhe duhet të presësh më shumë se sa një edicion për ta parë nëse vërtetë është një ndryshim pozitiv dhe do të kontribuojë akoma më mirë për zhvillimin e futbollit shqiptar.






Komentoni!