Matondo transferohet në Turqi per 600 mijë Euro

Një nga problemet më të mëdha të Partizanit kësaj vere, pas një kalvari të gjatë, kthehet në shitjen më të madhe të verës në kampionatin shqiptar. Masanga Matondo nga dita e djeshme nuk është më lojtar i Partizanit, pasi ai është transferuar në klubin turk të Hatajsporit, që ka këmbëngulur prej muajit maj për të blerë shërbimet e kongolezit, që ishte një nga lojtarët më të mirë në kampionatin e vitit të shkuar, kur edhe Partizani u shpall kampion.

Ditën e djeshme ai ka kryer vizitat mjekësore, të cilat i ka kaluar me sukses dhe është prezantuar si lojtari më i ri i skuadrës së drejtuar nga ish-portieri, Volkan Demirel. Partizani ka njoftuar gjithashtu shitjen në një postim në rrjetet sociale.

PRAPASKENAT

Ka qenë vetë trajneri i Hatajsporit, i cili në derbin e fundit ndaj Tiranës zbarkoi në Tiranë dhe spikati pikërisht Matondon, bashkë me Visar Bekajn, të cilin arriti ta sigurojë falas që në fillim të verës. Partizani dhe Matondo u ndanë në “luftë”.

Klubi i kuq refuzoi një ofertë prej 300 mijë eurosh, plus përqindje të kartonit, me lojtarin, që u kthye kundër klubit dhe refuzoi të kthehet në skuadër. Pas negociatash të gjata për rikthimin e lojtarit për ndeshjet e Europës, zgjidhja nuk erdhi dhe marrëdhëniet sa vinin e tensionoheshin.

Duke parë situatën lojtar-klub, Hatajspor vendosi të rifutet në negociata me Partizanin dhe të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit. Në këtë rast çështjen e zgjidhnin vetëm paratë, me klubin turk, që ka plotësuar kërkesën fillestare të Partizanit.

“Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit kampion se marrëveshja është mbyllur për 600 mijë euro. Gjithashtu “demat” kanë mbajtur 20% të kartonit në rast rishitjeje të kongolezit.

FUND I LUMTUR

Mbyllet kështu me fund të lumtur për të gjitha palët një nga çështjet më të nxehta të verës.

Pas një rezistence të gjatë, Partizani ka arritur të bëjë shitjen më të madhe të kësaj vere, në një kohë kur Matondo kishte edhe vetëm 1 vit në kontratë dhe nga janari i vitit të ardhshëm mund të firmoste parakontratë me cilin klub të dëshironte.

Shto këtu faktin se Matondo erdhi në janar të vitit 2022 me parametra zero nga Kongo dhe pasi kontribuoi për fitimin e titullit, i shtoi klubit të ardhura të konsiderueshme.

Nga ana tjetër, edhe Matondo arrin të kompletojë transferimin kaq shumë të dëshiruar në Superligën turke. Ai do të marrë një pagë prej 16 mijë eurosh në muaj, një shifër disa herë më e madhe se ajo që fitonte te të kuqtë. Hatajspor synon që të mbijetojë në Superligën turke dhe Matondo e Bekaj janë projektuar titullarë.

Duhet thënë se 24- vjeçari është një nga mesfushorët më të mirë që Partizani ka pasur të paktën në dekadën e fundit.

Komentoni!