
Genc Tomori, një tjetër ikonë e klubit të kuq, shpreson shumë që Partizani t’ia dalë mbanë. “Do të mbahen mend ndër vite. Do ta gdhendin në histori emrin e tyre me germa të arta. Edhe pas 50 vitesh do të thonë “ata shkuan në grupe”. Ëndërr e kam të shkojnë. Njësoj si mua edhe mijëra tifozë të Partizanit”, thotë fillimisht për “Panorama Sport” ish-futbollisti.
“Nuk do të jetë e lehtë, sepse Astana ka cilësi dhe ka edhe traditë. Megjithatë, Partizani e meriton të jetë në podiumin e atyre skuadrave që kanë shkuar në këto nivele. Deri tani kanë bërë shumë mirë, por kjo e sotmja është një ndeshje unike. Është një nga ato ndeshje që u shpërblehet mundi edhe klubit dhe drejtuesve për punën e bërë ndër vite. Duhet të jenë të përqendruar dhe të kenë besim te potenciali i tyre.
Nuk jam euforik edhe të them se është Partizani favorit në një ndeshje si kjo, por futboll është dhe nuk ka gjëra të pamundura. Partizani na ka bërë krenar me titujt e fituar së fundmi, me historinë madhështore që ka dhe me tifozërinë e jashtëzakonshme. Sot, shpresoj që edhe me pak fat, të mund të arrijnë një objektiv të jashtëzakonshëm për nivelin e futbollit shqiptar, që është ai i kalimit në grupe. Mendoj se gëzim më të madh nuk ka në aspektin sportiv. Si ia dilet? Me eksperiencë. Duhen lojtarë që kanë fituar diçka në karrierë dhe Partizani i ka. Është kampion, por kanë luajtur edhe ndeshje në Europë. Nuk janë inferiorë ndaj askujt në Ligën e Konferencës. Unë kam besim”, deklaroi Tomori.