David Atanaskoski i gatshëm për ndeshjen e sotshme

Surprizë në stërvitjen e fundit të Partizanit me mbrojtësin e majtë, David Atanaskoski. Teksa pritej që ky i fundit të mungonte në ndeshjen e sotme ndaj Valmierës për shkak të tre kartonëve të verdhë që ka marrë në ndeshjet e deritanishme europiane, një “email” nga UEFA gjatë së mërkurës ka gëzuar lojtarin dhe stafin teknik.

Rregullorja për kartonët e verdhë është ndryshuar, ndërsa maqedonasi është ndëshkuar fillimisht në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve ndaj BATE-s, e më pas dy herë në kompeticionin tjetër, Liga e Konferencës, pikërisht kundër Atletik Eskaldes dhe Valmierës. Fakti që ka marrë kartonë në tri ndeshje dhe kompeticione të ndryshme, e shpëton nga pezullimi Atanaskoskin. Burime zyrtare në klubin e kuq i treguan dje “Panorama Sport” se kanë marrë konfirmimin nga UEFA që kartoni i parë i verdhë që Atanaskoski mori në Champions, nuk i mbartet në Ligën e Konferencës. Kësisoj, sot maqedonasi do të jetë në fushë si titullar, duke qetësuar jo pak trajnerin Zekiç për krahun e majtë të mbrojtjes.

Situata

Për shkak të dëmtimeve sot do të mungojnë sulmuesit Kristian Mba dhe Alfred Mensah, si dhe mbrojtësi Saliu Sembene. Ndërsa për shkak të ndëshkimit që ka marrë nga Zekiç për thyerje të disiplinës në ndeshjen e parë në Letoni, sot nuk do të jetë i grumbulluar as fantazisti brazilian, Viktor da Silva. Sa i përket formacionit, pritet të ketë tri balotazhe nga mbrojtja në sulm, pikërisht mes Hadrojit dhe Zekollit, Magetit dhe Muratajt dhe Grezdës e Kekos.

Komentoni!