Kush është rivali i radhë në Ligën e Konferencës

Valmiera është skuadra që do të ketë Partizani përballë në ndeshjen e raundit të tretë të Ligës së Konferencës. Rrënjët e këtij klubi nisin në vitin 1996, i themeluar me emrin Valmiera FK. Pas qëndrimit deri në vitin 2003 në ligën kryesore, klubi ra në kategoritë e ulëta dhe u përqendrua më së shumti tek akademia, për t’u kthyer në vitin 2017 në elitë. Prej gjashtë vitesh ndodhet në nivelet e lara të futbollit letonez, teksa në tri vitet e fundit duhet thënë se ka pësuar një rritje të konsiderueshme sa i përket cilësisë së skuadrës dhe aftësive organizative të klubit.

TROFEU – Valmiera nuk është e krahasueshme me një klub si Riga në Letoni, por në tri vitet e fundit ka arritur të jetë konkurruese dhe në sezonin e shkuar arriti edhe kulmin e historisë së klubit, duke fituar titullin kampion, pikërisht pas një dueli të fortë e të ethshëm me Rigën, duke e mbyllur kampionatin me 85 pikë, 4 mbi rivalët.

SHITJET – Ky triumf i dha edhe një hov të madh ekonomik, pasi përveç të ardhurave nga kompeticionet e UEFA-s, Valmiera arriti të bëjë shitje të mëdha lojtarësh, që në Shqipëri ende nuk i kemi parë, pavarësisht se kemi klube shumë më të vjetra e me eksperiencë. Valmiera, ndryshe nga klubet shqiptare, ka arritur të dërgojë lojtarë në kampionatet elitare të globit si Bundesliga apo Seria A në vitet e fundit. Në janar të këtij viti Riga shiti Tolu Arokodare për 2.5 milionë euro tek Amiens në Francë. Gjithashtu, Raimond Krollins u shit te Specia në Serinë A për plot 1.5 milionë euro.

NË EUROPË – Ndeshja e parë që Valmiera ka fituar në kompeticionet europiane ishte ajo ndaj Tre Pene në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së Konferencës. Kampionët e Letonisë vijnë në këtë ndeshje pas humbjeve ndaj skuadrës së Olimpija Ljubjana në raundin e parë të Ligës së Kampionëve. Në verën e shkuar Valmiera gjeti përballë shqiptarët e Shkëndijës në raundin e dytë të Ligës së Konferencës dhe tetovarët arritën t’i fitojnë bindshëm të dyja sfidat. Një avantazh kundrejt Partizanit për Valmierën është fakti që është në aktivitet në kampionat. Në Letoni janë luajtur 24 javë, ku kundërshtari i radhës i Partizanit renditet në vendin e tretë, shumë larg Rigës së vendit të parë.

Komentoni!