
Partizani ka marrë sot tre pikë të arta ndaj Erzenit duke siguruar një fitore që e mban në rrjedhën e luftës për titullin kampion.
Sfida ka qenë shumë e luftuar, me skuadrat që kanë kërkuar në çdo moment të shënonin, por me Xhikën dhe Rexhepin të vëmendshëm në pjesën e parë të sfidës.
Për të thyer baraspeshën të kuqve iu desh një goditje dënimi e ekzekutuar me skemë dhe e finalizuar saktësisht nga Da Silva. Kjo i dha më shumë qetësi të kuqve që të menaxhonin minutat e mbetur. Kartoni i kuq i Sotës mund të ndryshonte fatin e sfidës, por Hoti i futur në fushë pak minuta më parë, ia doli të dyfishonte shifrat për ekipin e drejtuar nga Kolela.
Në fund, Erzeni shënoi me anë të një penalltie, por ishte shumë vonë për të tentuar diçka më shumë nga kjo ndeshje dhe doli nga sfida pa pikë, duke rrezikuar që tashmë të përfshihet plotësisht në luftën për mbijetesë. Ndërkohë, Partizani shkon 2 pikë larg Tiranës dhe i bën presion bardhebluve kryesues.