Basket femra / Partizani mund Flamurtarin në finalen e dytë

Skuadra e basketbollit të femrave Partizani ka barazuar serinë e finaleve të kampionatit kombëtar në 1-1, pasi ka mposhtur të enjten në mbrëmje Flamurtarin e Vlorës me rezultatin 73:59 (11:10; 18:18; 18:19; 26:12).


Përballja në pallatin e sporteve “Asllan Rusi” është zhvilluar në praninë e një numri të konsiderueshëm të tifozëve të skuadrës së Partizanit. Dueli ka qenë mjaft i luftuar përderisa skuadrat i kanë mbyllur tre çerekët e parë të takimit në baraspeshë me rezultatet 11:10 në të parin, 29:28 në të dytin, dhe 47:47.

Çereku i fundit ka rezultuar vendimtar për vajzat e trajneres Eliverta Bujari që kanë krijuar epërsinë prej 14 pikëve dhe shkojnë me moral të lartë në ndeshjen e tretë finale.

“Kjo fitore na jep moral më të lartë. Dy ekipet janë me meritë në finale. Dihet që në finale kush është më i saktë eshtë fitues. Këtë vit e kemi thyer Flamurtarin në Vlorë në Ligën Unike prandaj dhe do shkojmë në Vlorë pë fitore”, tha kapitenja Ornela Lalaj, e cila në këtë ndeshje ishte më efikasja duke kontribuar me “double-double” prej 15 pikësh e 12 kërcimesh. Antoinette Alyssa Bannister ka shënuar 16 pikë, ndërsa Hanna Brych e Lasonja Lavette Edwards kanë shtuar nga 14 pilë secila.

Kapitenja Ornela Lalaj.

“Ndeshje finale po i kam thënë gocave të gabojmë sa më pak. Mendojmë që jemi më të qeta. Tani presioni është te ato dhe ne do shkojmë në Vlorë për të tentuar fitoren. Vajzat nuk e kanë problem fitoren në Vlorë. Jam e bindur që do paraqitemi mirë të shtunën apo të dielen, që nuk është vendos akoma”, tha pas ndeshjes trajnerja Eliverta Bujari.

Trajnerja Eliverta Bujari.

Në ndeshjen e parë finale të zhvilluar të dielën në Vlorë, Partizani ishte mundur me rezultatin 73:58 (20:13; 20:17: 16:11; 17:17).

Komentoni!