
Partizani në basketboll për meshkuj ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në Superligë, teksa kanë mposhtur skuadrën e Apolonisë në ndeshjen e parë të “play off” për kualifikim në kategorinë elite të basketbollit shqiptar.
Ndeshja e zhvilluar ne Vlorë ka qenë tejet e luftuar deri në sekondat e fundit të saj dhe është mbyllur me rezultatin e ngushtë 73:75 në favor të Partizanit.
Të kuqtë e kanë nisur vrullshëm çerekun e parë duke e mbyllur në avantazh prej 6 pikësh, ndërsa në të dytin kanë qenë fierakët ata që kanë përmirësuar lojën e tyre. Gjithsesi pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me 3 pikë avantazh për Partizanin (27:30).
Çereku i tretë është mbyllur me shifrat 53:53 dhe loja e barazpeshuar ka vijuar edhe në të katërtin, ku megjithatë të kuqtë kanë gjetur forcën për të triumfuar me 2 pikë epërsi.
Prowell Junious Tornelus me 23 pikë e 5 kërcime, Abdyl Gjyzel me 16 pikë e 8 kërcime, Kejdi Gjore me 15 pikë e 5 kërcime si dhe Skerdi Jareci me 13 pikë e 10 kërcime ishin më të spikaturit tek skuadra e kuqe.
Ndeshja e dytë e vlefshme për një vend në Superlige ne edicionin e radhës do të zhvillohet të mërkirën me 12 prill me fillim prej orës 18:00 në “Asllan Rusi”.