
Pas Jasir Asanit ditë më parë, një tjetër futbollist i kombëtares shqiptare me të kaluar në skuadrën e Partizanit ka shprehur dashurinë dhe besnikërinë për skuadrën e kuqe.
Ylber Ramadani i cili ka zhvilluar 44 ndeshje me fanellën e kuqe ne vitet 2016-2017, aktualisht është pjesë e Aberdeen FC në Premiership të Skocisë.
“Jam ndjerë shumë mirë tek Partizani dhe më pas këtu ku jam. Nga fundi i karrierës do kthehem tek Partizani, dua ta mbyll atje. E takova Demin, ka qenë si prindi për mua. Më tha që ndjehet krenar që po luaj në Kombëtare”, ka thënë ndër të tjera Ramadani në emisionin sportiv “Panorama Sport”, në “Panorama TV”.
“Partizani po luan shumë mirë, dhe shpresoj të shpallen kampionë. Matondo është shumë i mirë, ka cilësi shumë të mira. Hadroj është i mirë edhe Buxhelaj, sigurisht edhe Alban Hoxha. Çdokush ka momente të vështira, edhe trajneri Kolela është shumë mirë tani dhe Partizani ndodhet në vendin e parë”, ka shtuar ai.
Ndërkohë ai nuk ka lënë mëdyshje për besnikërinë ndaj Partizanit.
“Nuk do të pranojë kurrë ofertën e Tiranës, nuk mund tja bëj kurrë këtë Partizanit”.