Murataj: Duhet të jemi më altruistë para portës

Valentino Murataj ka folur për ndeshjen e fituar të shtunën me rezultatin 2-0 përballë Teutës në “Niko Dovana” të Durrësit. Mesfushori i Partizanit ka qenë i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në Radiotelevizionin Shqiptar.

“Këtë ndeshje e vlerësuam maksimalisht pasi në këtë fazë që është kampionati nuk lejohen më gabime. Tani edhe ekipi është harmonizuar më shumë. Edhe prurjet e reja po tregojnë më shumë vlerat e veta. Kemi pasur raste edhe në pjesë të parë të për ta mbyllur ndeshjen. Ka pas një rast Rrapaj, që nuk u shfrytëzua me një pasim te Da Silva, një rast e kam pas edhe unë. Mendoj se duhet të jemi më altruistë para portës të gjithë ne. Edhe ne gjatë ndeshjes patëm ato ulje ngritjet tona por edhe Rexhepi në këtë ndeshje ka qenë në lartësinë e duhur”, ka thënë Murataj.

I pyetur për futbollistët e ardhur në skuadër gjatë merkatos së janarit, 26-vjeçari është shprehur i kënaqur me ambientimin e tyre, dhe në veçanti nigeriani Mba.

“Në fillim e kanë pasur shumë të vështirë, sidomos Mba. Kur e kemi parë në në fillim në stërvitje menduam që do ta kishte shumë të vështirë te shfaqte vlerat e veta. Tani ai është fut në ritëm dhe e ka treguar që në çdo ndeshje është ai që na udhëheq përpara”, ka shtuar ai, ndërsa ka folur edhe për ecurinë e skuadrës në kampionat si dhe rivalët.

“Nëqoftëse do jemi aty ku kemi qenë këto pesë javët e fundit, kur në pesë javë kemi fituar 13 pikë, atëherë do të jemi në rrugën e duhur. Mendoj që të katër skuadrat që janë përpara janë rivalet tona për kampionatin”.

Ndërkohë për ndeshjen e ardhshme përballë Egnatias, ndeshje që do të zhvillohet ditën e hënë ne ora 15:00 është shprehur se nuk lejohen gabime.

“Normalisht është ndeshje shumë e vështirë dhe duhet përqëndrim maksimal pasi siç e thashë nuk lejohen më gabime. Çdo pikë që kemi humbur i kemi humbur për gabime individuale. Duhet t’i minimizojmë ato gabime dhe duke qenë të përqëndruar mendoj se do ia dalim me sukses”.

Komentoni!