
Është konfirmuar orari i ndeshjes së javës së 27-të të Kategorisë Superiore në kuadër të së cilës të kuqtë përballen me skuadrën durrsake të Teutës.
Sfida zhvillohet në “Niko Dovana” të shtunën me datë 1 prill, me fillim prej orës 18:00, e konfirmuar zyrtarisht nga ana e klubit të kuq.
Bruno Telushi, Josef Menish dhe Maget Gueje, të cilët kanë shfaqur probleme fizike dhe janë stërvitur të veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës në ditët e fundit, janë në dyshim për këtë përballje.
Partizani vjen në këtë ndeshje pas miqësores së fituar me rezultatin e thellë 6-1 përballë skuadrës së Luzit nga Kategoria e Parë.
Katër futbollistë të kuq vijnë pasi kanë qenë të ftuar në ekipet kombëtare.
Andi Hadroj nuk është aktivizuar në ndeshjen e humbur me rezultat minimal të kombëtares kuqezi përballë Polonisë me 27 Mars.
Masanga Matondo është aktivizuar në dy ndeshje me kombetaren kongoleze përballë Sudanit Jugor (në ndeshjen e parë është futur si zëvendësues në minutat shtesë, ndërsa në të dytën është aktivizuar për 90 minutat e plota).
Paulo Buxhelaj është aktivizuar si titullar në dy ndeshjet miqësore të kombëtares Shpresa ndaj Azerbajxhanit (fituar 2-1 me 23 mars) dhe atë ndaj Polonisë (humbur 2-0 me 27 mars). Marçelino Preka është aktivizuar si zëvendësues në minutën e 76-të në ndeshjen përballë Azerbajxhanit, në vend të Buxhelaj.