Murataj flet për sezonin dhe të ardhmen

Vjet nuk ishte tit ullar, por këtë se zon është kthyer në një motor për lojën e Partizanit. Me ardhjen e Kolelës, Valentino Murataj është shndërruar në një lojtar shumë të rëndësishëm në mesfushën e Partizanit, me trajnerin italian, që ka ditur t’i nxjerrë më të mirën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Murataj, i rritur në akademinë e kuqe, tregon për emocionet e shtëpisë së re, forcën që kjo skuadër ka dhe marrëdhënien me trajnerin Kolela.

Si ishte të luanit para tifozëve në stadiumin që tashmë është shtëpia juaj e re?

Ishte diçka që Partizani si klub e ka pritur shumë dhe normalisht ishte një emocion i bukur, sepse edhe atmosfera ishte shumë e mirë. Është një kompleks, që në Shqipëri e kemi pasur ëndërr ta shohim.

Ju keni qenë një nga ata që e kanë vuajtur këtë mungesë, sepse kur ishit pjesë e akademisë së Partizanit, stërviteshit nëpër fusha të tjera. Sa ju gëzon tashmë që Partizani ka diçka të vetën?

Ky kompleks aq i madh shërben për të gjithë futbollin shqiptar, në veçanti për Partizanin, që do të stërvitet çdo ditë aty. Do të ketë shumë shpejt kushte të jashtëzakonshme si sauna, palestër moderne apo edhe ushqimi do të serviret aty. Në momentin që gjithçka do të vihet në funksion, do të jetë diçka shumë më e madhe seç është tani. Kur kemi dalë kampion me moshat, stërviteshim në 20 metra fushë. Shpresoj që lojtarët e rinj që Partizani ka tani ta shfrytëzojnë në maksimum këtë gjë kaq të bukur.

Kishit ndopak emocione ndaj Bylisit për shkak se ishte ndeshja e parë e Superiores në kompleks dhe duhej me patjetër fitorja?

Normalisht, ishte ndeshja e parë në stadiumin tonë ndaj një kundërshtari të vështirë. Jemi shumë të kënaqur me tri pikët dhe lojën që zhvilluam në stadiumin tonë.

Sa i kënaqur jeni me paraqitjen tuaj të fundit?

Jam më shumë i kënaqur me fitoren dhe marrjen e tri pikëve, sepse vinim pas dy rezultateve negative. E rëndësishme është të kuptojmë se çfarë përfaqësojmë dhe të japim në çdo ndeshje më shumë nga vetja.

Si është të punosh me Kolelën? Nuk e kemi parë kurrë të bërtasë. Ka ndodhur ndonjëherë të dalë nga vetja?

Të punosh me profesor Kolelën është shumë e lehtë. Ai është i hapur me secilin nga ne. Ai vazhdimisht kujdeset të dijë për secilin se çfarë nuk kuptoi dhe tregon se çfarë kërkon më shumë nga ne. Ky mendoj se është çelësi i suksesit të Partizanit. Trajneri arrin t’i menaxhojë të gjithë lojtarët në mënyrën e duhur. Shpresoj që edhe kur të jemi në vështirësi, të reagojmë siç kemi bërë deri më tani. Aty do të duket fryma e grupit.

Si do të ndikojë te ju personalisht ndërprerja prej Botërorit?

Ndërprerja besoj se nuk i bën mirë asnjë lojtari. Por për ne si skuadër ishte diçka pozitive për faktin se kishim disa të dëmtuar dhe na erdhi në një moment kur na mungonin lojtarë të rëndësishëm për skuadrën dhe për lojën që ne aplikojmë.

A është ky vit i duhuri për të shkuar te titulli?

Nëse është i duhuri, do ta tregojë koha dhe rezultatet që do të marrim rrugës. Unë mendoj se jemi një grup mjaft i mbledhur, me një staf shumë cilësor dhe po ecim në rrugën e duhur.

Pavarësisht se keni qenë titullar me Partizanin në këtë sezon, nuk e morët një ftesë në Kombëtare. E shpresoni në të ardhmen?

Nuk mendoj se ka ndonjë lojtar që nuk e ëndërron Kombëtaren, por nëse e meriton është e sigurt që do ta veshësh atë fanellë. Duhet një punë e madhe për secilin për të mbërritur deri atje. Për mua do të ishte një gjë shumë e madhe nëse do t’ia arrij. E kam ëndërruar që fëmijë, shpresoj që të ngremë trofeun e kampionit me Partizanin dhe Kombëtarja aty është. Nëse arrin suksese me klubin, e ke më të lehtë ta arrish.

Si ju duk Kombëtarja me Italinë. Çfarë i mungon sipas jush?

Ky brez i Kombëtares ka lojtarë fantastikë, që luajnë në nivele shumë të larta. E vetmja gjë, që mendoj se i duhet, është që të jenë shumë të bashkuar në fushë dhe të luftojnë për një qëllim, siç thotë edhe himni kombëtar.

Skuka bëri mirë sapo hyri ndaj Italisë. E prisnit këtë shpërthim?

Ndaj Italisë ai ka bërë diçka shumë të bukur. E prisja që të linte gjurmë. Me aftësitë që ka, ai tregoi se mund të vërë në vështirësi edhe Bonuçin. Shpresoj që tani të kuptojë rëndësinë e cilësive që ka dhe të punojë akoma edhe më shumë.

Po roveshatat i bën shpesh në stërvitje?

I kanë hyrë në qejf kohët e fundit, sepse ka shënuar edhe një gol shumë të bukur në derbi sezonin e shkuar dhe që atëherë ka nisur t’i praktikojë shpesh në stërvitje.

Komentoni!