
Dritan Mehmeti padyshim ka qenë i lumtur për fitoren e Partizanit ndaj Saburtalos. Por trajneri i të kuqve është shprehur pas ndeshjes së Ligës së Konferencës se skuadra e tij kishte punë për të bërë që të mbyllte kualifikimin në ndeshjen e kthimit, siç shpjegoi në fjalët për “Oversport” pas sfidës.
“Mendoj se duhet të rrimë me këmbë në tokë. Asgjë nuk ka përfunduar. I gjithë problemi që kemi pasur ka qenë ajo që kemi shprehur gjithmonë, që skuadra kundërshtare ka ritmin e lojës. Zbritëm pak poshtë në pjesën e dytë për mungesë alternativash. Në dy momente me Skukën dhe Cvetanovskin dolëm para portës. Dolëm në fund dhe u futëm pak në panik dhe skuadra duhet të ketë më shumë zotërim topi dhe personalitet që janë gjërat për t’u rregulluar.
Qetësia duhet të transmetohet te lojtarët, jam unë ai që mbaj përgjegjësi, jam unë kryesori dhe duhet të jem ai që transmeton qetësi te skuadra dhe ata ma shpërblejnë me këtë impenjim që kanë. Kam vetëm falënderim për çunat dhe duhet të punojmë bashkërisht që t’ia dalim.