
Partizani siguroi disa dite me pare pjesemarrjen e pare ne Ligën e Konference, nje kmpeticion qe u inagurua vetem para nje viti. Por plot 60 vite me pare, Partizani ishte skuadra e pare shqiptare qe merrte pjese në Europë, dhe me sakte në Kupën e Kampioneve të Europës.
Fotoja me siper, qe eshte publikuar me pare nga Panorama Sport, i përket 12 shtatorit 1962, ne Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Fotoja eshte para ndeshjes Partizani – IFK Norrköping 1-1 për Kupën e Kampioneve të Europës.
Lojtarët e Partizanit (me fanella të errëta -në të vërtetë kanë qenë të kuqe)radhazi lart nga e majta nisin me sulmuesin e krahut Kolec KRAJA, i papërmbajtshëm dhe atlet, teksa vazhdojnë me Miço NDININ, stoik në mesfushë, mbas të cilin vjen një sulmues legjendar për ne me emrin Refik RESMJA. E mandej Robert JASHARI – qendërsulmues tipik e shënues tejet elegant. Në atë drejtim radha e parë lart mbyllet me qendërmbrojtësin e fuqishëm Miço PAPADHOPULLI. Ndërkaq, nis radha ulur nga e majta me sulmuesin po aq golashënues origjinal, Tomor GJOKA, mandej Fatmir FRASHERI – mbrojtësi epokal, e mbas nja tre lojtarëve suedezë vjen mbrojtësi tjetër Fatbardh DELIALLISI – kapiteni i parë i Kombëtares në ndeshjet europiane. E këtu, menjëherë mbas një suedezi që çuditërisht i ka hedhur krahun në sup, shfaqet “ai”, Panajot PANO i madh, i cili atë ditë nuk ndalej! Ngjitur me të është portieri më akrobatik që ndoshta ka pasë Shqipëria: Mikel JANKU. Dhe në mbyllje kapiteni i madh i Kombëtares së mbas pak kohëve: universali Lin SHLLAKU.
Me përjashtim të Tomor Gjokës, të gjithë të tjerët kanë bërë histori edhe nën fanellën e Kombëtares së Shqipërisë.
Eshtë plot 60 vjet më parë. Një histori jo fort me fat e Shqipërisë që niste pra më 26 gusht 1962, me ndeshjen IFK Norrköping (Suedi) – Partizani 2-0. Kthimi mbas pak ditëve në Tiranë, më 12 shtator 1962, ishte një barazim i madh 1-1. Kjo ishte pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në kupat, që fillonte me pjesëmarrjen në Kupën e Kampioneve të Europës (sot Liga e Kampioneve).
E filluar kështu në qytetin Norrköping (Norçeping) të Suedisë me ndeshje për Kupën e Kampioneve të Europës, ky gjysmëshekull futboll i klubeve shqiptare në Europë, i nisur me një eliminim dinjitoz të 53 vjetëve më parë, përmbledh një histori modeste, ndonjëherë nderuese, sa zhvilluese, po aq vendnumruese, sa krenare, po aq kryeulëse. Por premiera e Partizanit ka qenë e kalibrit të një stili të vërtetë europian.
Tek janë edhe dy skedat e fillimit të pjesëmarrjes sonë, të cilat në thelb na kujtojnë dy ndeshje të rralla, të paharrueshme në krejt përmbajtjen tyre befasuese për një vend të vogël si Shqipëria – e vetmja e cila kishte munguar të shfaqej në Europë në shtatë vitet e para të Kupave të Europës (1955-1962). Për fat do të ishte një mungesë, që Shqipëria me gjeopolitikën e regjimit të saj do ta përsëriste shpesh. Kështu, të duket sikur ne mbetemi te befasia e pjesëmarrjes së parë, dy ndeshjeve tona të para që kanë këtë pamje të paharrueshme historike.
IFK Norrköping – Partizani 2-0
Norrköping, 26.08.1962. St.: “Idrottsparken”.
IFK Norrköping: Nyholm – Lind, Rosander – Ohlsson, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Björklund, Martinsson, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.
PARTIZANI: Maliqati, – Deliallisi, Frashëri, Papadhopulli, Shllaku – Ndini, Merja, – Kraja, Pano, Resmja, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.
GOLAT: Bild 55’, Rosander 74’
GJYQTAR: L.Gulliksen / NOR.
SHIKUES: 12.271
Partizani – IFK Norrköping 1-1
Tiranë, 12.09.1962. St. Kombëtar “Q.Stafa”
PARTIZANI: Janku – Deliallisi, Frashëri, Papadhopulli, Ndini – Shllaku, Gjoka, Kraja, Jashari, Pano, Resmja. TRAJNER: L.Boriçi.
IFK Norrköping: Nyholm – Lind, Rosander – Björklund, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Martinsson, Kindvall, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.
GOLAT: Kindvall 6’, Kraja 48’.
GJYQTAR: V.Korelus / CZE.
SHIKUES: 18.000.
Këto ishin dy ndeshjet e para të atij edicioni të Kupës së Kampioneve, një lloj turi kualifikues, siç përcaktohej, ku fituesja e këtij çifti përurues do të bënte pjesë në 28-shen e turit të parë. Duke rezistuar në ndeshjen e parë, atë të 26 gushtit 1962 në Norrköping deri në të 55’, Partizani i Loro Boriçit kishte mbajtur në ankth “Idrottsparken” të Norrköping-ut. Mandej, ndeshja e kthimit në Tiranë, një 1-1 i paharrueshëm, që befasonte Europën e futbollit e cila nuk po e kuptonte se si kishte qenë e mundur që Shqipëria të kishte vonuar kësisoj të merrte pjesë në garat e klubeve! Tre kombëtaras të shquar të Suedisë, Nyhol, Bild dhe Johansson, shto këtu dy kombëtarasit e tjerë të një talenti të madh që sapo mbërrinin, siç ishin 20-vjeçari Nordqvist dhe 19-vjeçari Kindvall, të drejtuar nga trajneri hungarez Vilmos Varszegi, i përvijonin kampiones së Suedisë një skuadër të mrekullueshme, çka bënte që të ngriheshin edhe më lart kuotat e paraqitjes së kampiones shqiptare. Në turin e dytë IFK Norrköping, tash i pafat, do të takonte Benfica-n legjendare (ajo që do të mbërrinte deri në fundoren (finale) me Milanin 1-2) të Eusebios, Augustos, Torresit, Colunas dhe Simoesit: 1-1 në IFK Norrköping dhe natyrisht 1-5 në Lisbonë.
Shikoni historine e plote te Partizanit, perfshi edhe gjithe ndeshjet e luajtura ne Europe, si dhe artikullin origjinal ne Panorama Sport.