
Në vetëm dy ditë nga derbi i kryeqytetit ndaj Tiranës, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës, në orën 19:45, në stadiumin “AIR Albania”, për mediat ka folur sulmuesi i Partizanit, Stenio Zhunior, i cili ka deklaruar se fitoren ndaj Kukësit e prisnin dhe që ishte një tre pikësh që i riktheu besimin. Gjithashtu braziliani tha se Partizani do të luftojë deri në fund për objektivat e këtij sezoni.
Sfida ndaj Kukësit
“Ishte një fitore që e prisnim, një rezultat i madh dhe që na rikthen besimin. Erdhi në një moment të mirë para derbit dhe besoj se do të luftojmë për t’u rikthyer te fitorja ndaj Tiranës që do të na jepte besim sepse deri në këtë moment nuk kemi fituar asgjë.”
Objektivi i Partizanit
“E dimë se objektivi jonë është të qëndrojmë në tre vendet e para, e kemi në mendjen tonë që Tirana është para por duhet të luftojmë deri në fund për objektivin tonë.”
Dy ditë kohë për derbin me Tiranën
“Mund të ndikojë, por edhe Tirana ka të njëjtën kohë. Kam shënuar në derbin e fundit, por mendoj se besimi në ekip është i ndryshëm nga e kaluara. Po luajmë mirë dhe po kërkojmë rezultate dhe do të jetë një histori ndryshe ky derbi.”
Titulli
“Në këtë moment mendojmë vetëm për objektivin tonë, e dimë që është e vështirë për titull dhe duhet të jemi të sinqertë. Në këtë moment bëjmë mirë të përqendrohemi tek objektivat e klubit.”, përfundoi Zhunior.