Partizani detyrohet të stërvitet në gjysmë fushe para derbit

Partizani zhvilloi dje stërvitjen e radhës, në kuadër të betejës ndaj Dinamos. Seanca e “demave” nisi në orën 15:00, por një pjesë e saj nuk u zhvillua në fushën e madhe, ku stërviten zakonisht. Ndeshjet e moshave e detyruan klubin e kuq të stërvitet si rrallëherë në një fushë në madhësinë e një kalçetoje.

Mungesa e një kompleksi prej me shume se 15 vitesh ka qënë një problem madhor për Partizanin, he është diçka që skuadra vazhdon ta vuaj edhe sot, në pritje te mbarimit te kompleksit të ri. Është e paimagjinueshme që një nga klubet më të mëdha në vendin tonë të mos ketë komoditetin të përgatitet në kushtet e duhura dhe trajnerit t’i duhet të stërvitë mbi 20 lojtarë praktikisht në një gjysmë fushe.

Gjithçka ndodh vetëm dy ditë para ndeshjes dhe dëshmon qartë se sa vuajtje është të mos kesh impiant privat për stërvitje.

Përveçse kanë ndarë fushën me skuadrat e moshave, Partizani u ka huazuar edhe fizioterapistin atyre. Ergys Rexha në dy raste u vu në ndihmë të lojtarëve të skuadrave të tjera, të cilët u dëmtuan dhe nuk kishin praninë e një mjeku në ekipet e tyre. Fillimisht ishte një lojtar i Kukësit U-21, i cili u dëmtua në shpatull në ndeshjen që të tijtë po luanin ndaj moshatarëve të Apolonisë.

Disa minuta më pas, një lojtar i ekipit të Kategorisë së Parë, Turbinës, pësoi goditje në kokë dhe sërish ishte Rexha që iu vu në ndihmë, pas thirrjes nga lojtarët cërrikas, të cilët siç dihet, i zhvillojnë stërvitjet në të njëjtin kompleks me të kuqtë.

Stërvitje e kushtëzuar

I kushtëzuar nga mungesa e një terreni për të praktikuar taktikën, trajneri Mehmeti e përqendroi pjesën e parë të stërvitjes te perfeksionimi i pasimeve të shkurtra dhe më pas për disa minuta, përgatitësi atletik, Korrado Sakone, i angazhoi lojtarët me sprinte dhe ushtrime të ndryshme shpejtësie.

Më pas, me lirimin e fushës së madhe, trajneri Mehmeti mori frerët sërish dhe zhvilloi stërvitje taktike të detajuar. Lajmi i mirë është se asnjë nga lojtarët kryesorë të ekipit nuk mungonte.

Komentoni!