Top dhjetëshja e golashënuesve në Superligë, Cara nderon produktin shqiptar

Teksa Kategoria Superiore ka mbyllur javën e saj të 21-të, duket se goli mbetet ende pronë e futbollistëve të huaj. Deri më tani, në 105 takimet e zhvilluar deri më tani në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, janë realizuar 245 gola gjithsej, me një mesatare prej 2.33 golash të shënuara për ndeshje. Afro gjysmën e këtyre golave i kanë realizuar 15 lojtarë, që mbajnë vendet e para të listës së golashënuesve. Këta 15 lojtarë kanë realizuar së bashku 115 gola, me një mesatare prej afro 7.7 golash për lojtarë.

Por, duke i hedhur një sy të shpejtë listës, vërejmë se nga këto 15 lojtarë, vetëm 1/3-ta e tyre, pra 5, janë lojtarë shqiptarë, ndërsa 10 të tjerët janë të huaj. Sulmuesi nga Mali, Saliu Guindo, i Laçit dhe Taulant Seferi i Tiranës ndajnë dy vendet e para të kësaj renditjeje, me nga 11 gola secili, të ndjekur nga Liridon Latifi i Vllaznisë dhe Redo Xhixha i Tiranës, me nga 9 gola secili.  Përveç Seferit, Latifit dhe Xhixhës, shqiptarët e tjerë në 15-shen e parë të listës së golashënuesve janë Tedi Cara i Partizanit, me 7 dhe Regi Lushkja i Laçit, me 6 gola të realizuar.

Por duhet kujtuar këtu se ky i fundit e ka lënë tashmë kampionatin shqiptar për t’u zhvendosur në Moldavi tek Sherifi i Tiraspolit. E teksa për të gjetur shqiptarin tjetër, Xhulio Skukën, duhet të zbresim në vendin e 16-të, vërejmë se në listë spikatin edhe futbollistët e vendeve të Ish-Jugosllavisë, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që përbëjnë 30 % të listës, të ndjekur nga 3 brazilianë dhe dy afrikanë.

Liridon Latifi i Vllaznisë dhe Stenio Zhunjor i Partizanit, me nga 4, dhe Saliu Guindo i Laçit me 3 plotësojnë podiumin e 11-metërshve të realizuar. Ndërkaq Latifi me 8 dhe Seferi me 7 janë shënuesit më të mirë të pjesëve të para. /Rtsh sport/

Komentoni!