Basketboll Femra – Partizani humbje dramatike në finalen e Kupës

Një ndeshje e luftuar deri në sekondën e fundit, ku për të përcaktuar fituesin u nevojit koha shtesë. Vetëm aty është munder Partizani, pasi Tirana Barleti u tregua më e saktë dhe arriti që të marrë trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Megjithëse nuk arritën te fitonin këtë rradhë, femrat e Partizanit në basketboll prej disa vitesh vazhdojnë të garojnë në majat e basketbollit në vend, dhe me një ekip me 100% përbërje shqiptare, duke marrë rezultate e trofe.

Ndeshja

Tirana Barleti, e drejtuar nga trajneri Jurgen Belegu, e nisi takimin me formacionin e përbërë nga kapitenia Eliverta Bujari, amerikania Barnes, Gera Bujari dhe serbet Daboviç e Stojiçiç. Ndërsa trajnerja Ledina Koçi e startoi lojën me pesëshen e formuar nga kapitenia Lalaj, Baraj, Palko, Fekollari dhe Velias.

Sfida u hap me një kosh për dy pikë nga Palko, ndërsa Velias i dërgoi shifrat në 0-4 për Partizanin. Dy koshat e parë bardheblu erdhën nga Bernes, që ekzekutoi saktë dy gjuajtje të lira. Më tej, Tirana Barleti nisi gradualisht ta marrë lojën nën kontroll për ta fituar periodën e parë 22-16.

Në periodën e dytë Partizani u paraqit më mirë dhe e fitoi këtë fraksion 15-21, me skuadrat që shkuan në pushim në barazim 37-37. Perioda e tretë foli për Tirana Barletin që triumfoi 17-13, duke kryesuar 54-50 pas 30 minutash.

Në fraksionin e katërt, Partizani kërkoi me çdo kusht reagimin, ku edhe pse e pa veten deri në 9 pikë disavantazh, të kuqet arritën të vendosin baraspeshën pak sekonda nga fundi me dy gjuajtje të sakta të lira nga Velias, me kohën e rregullt që mbyllet 64-64, dhe kështu takimi i drejtohet shtesës. 30 sekonda nga gongu rezultati shënonte 72-71 për Tirana Barletin, ndërsa me dy gjuajtje të sakta të lira Eliverta Bujari vulos triumfin 74-71 pas një beteje të vërtetë në parket.

Në fund shpërtheu festa në kampin bardheblu, teksa presidenti i FSHB-së, Avni Ponari i dorëzoi trofeun kapitenes Bujari. Për sa u përket paraqitjeve individuale, Daboviç me 20 pikë dhe Eliverta Bujari me 19 ishin lojtaret më të mira në sulmin bardheblu, shkëlqeu gjithashtu edhe Gera Bujari me 17 kërcime.

Ornela Lalaj ishte padyshim më e mira te Partizani me nje total prej 36 pikëve, 15 kërcimeve dhe 3 asiste.

Komentoni!