Astrit Grevën eshte trajneri i madh i Partizanit dhe kombëtares së basketbollit të meshkujve, djali i një babai të vrarë krejt pa faj e pa arsye gjate luftes mes ballisteve e komunisteve. Greva ishte trajner profesionist në ekipin e parë të basketbollit të Partizanit, skuadra që kishte nisur të shkëlqente në Shqipëri dhe që do të bënte ligjin që nga mesi i viteve 60-të deri në 1990.

Astriti kujton se kishte rrogë shumë të mirë dhe se nuk bënte punë tjetër. Ishte trajner profesionist dhe gjithë kohën ia kushtonte sportit, ashtu si shkrimtarët profesionistë që paguheshin si të tillë. Por, atij i thanë të largohej nga puna. Të paktën, për një farë kohe.
Si trajner Astrit Greva vështirë të ketë të krahasuar. Ky njeri ka fituar 25 tituj kampion për meshkuj dhe 2 tituj për femra. Me Partizanin, që ishte emblema e tij, por edhe me 17 Nëntorin, Tiranën e sotme. Astriti luajti pak basketboll dhe e pohon vetë se nuk ishte ndër të shquarit e koshit. Jo si Muhamet Përmeti, jo si Nijazi Lleshi, Fatmir Meka apo Xhorxh Kona. Nëse hyn në statistika do ta gjesh lojtar të kombëtares në gusht të 1959-ës, në Lojërat Ballkanike. Trajner, i përhershmi Naim Pilku, i mbiquajtur “babai i basketbollit shqiptar”.
Por, Greva i ri, që nisi të trajnonte që në moshën 18-vjeçare, dalë nga dalë i zuri vendin pikërisht Pilkut. Fillimisht në 1959, si trajner i Partizanit vetëm 21 apo 22 vjeç, pasi Naim Pilku shkoi për studime në Bashkimin Sovjetik. Më 1960, Naim Pilku u kthye në Shqipëri, pasi u prishën marrëdhëniet me Bllokun Lindor. Grevës iu propozua që të ishte trajner i dytë. Petrit Dume, njeriu i fuqishëm i ushtrisë shqiptare dhe i Partizanit priste fjalën e tij.
Grevës nuk i pëlqente të ishte trajner i dytë, ndaj edhe kaloi tek Dinamo si trajner i parë, ndonëse rrogën e merrte nga të kuqtë. Astriti e nxorri Dinamon në kategorinë e parë dhe më pas e dërguan për të ndihmuar Luftëtarin në Gjirokastër. Edhe me Luftëtarin doli në kategorinë e parë. Në të dy rastet nuk punoi gjatë, tek Dinamo ishte 6 muaj, ndërsa tek Luftëtari edhe më pak, disa muaj.
Më pas u kthye sërish tek Partizani. Trajner i dytë. Në 1963, skuadra e kuqe shkoi në Kinë, në një vizitë dhe turne të gjatë. Në ekip ishin lojtarë të njohur si Përmeti, Lleshi si dhe përforcime si Bujar Shehu apo Vaso Shaka. Për herë të parë u shfaq emri i Agim Fagut. Në atë kohë vetëm 15-16 vjeç.
Ndërsa ishin në Kinë, nga Tirana erdhi një telegram: Skuadra duhet të shkojë në Indonezi, në lojërat e GANEFO-s, por tashmë për të përfaqësuar Shqipërinë dhe jo Partizanin. Naim Pilku, që ishte trajner i parë, ishte edhe gjyqtar ndërkombëtar, ndaj edhe trajner i parë urdhërohej të ishte Astrit Greva.
Astriti thotë sot se në atë kohë atij ia mbajtën të fshehtë këtë vendim, pavarësisht se praktikisht qe ai që e stërviti dhe drejtoi skuadrën. Greva kujton se duke mos qenë ai një lojtar i mirë, basketbollistët e tjerë sikur nuk e kishin me qejf që po i stërviste një “rezervë e tyre”. U dukej ulje. Por, vendimet ishin vendime dhe nuk ktheheshin.
Astrit Greva, që nga ajo kohë u bë dhe mbeti trajner i Partizanit. Më 1964, ai mori një vendim i cili nuk ishte aspak i lehtë. Largoi gardën e vjetër ku bënin pjesë edhe Lleshi apo Përmeti. Sot e kësaj dite ai thotë: Pata të drejtë, ndonëse ata ishin njerëz shumë të mirë, por unë doja të bëja stërvitje sipas koncepteve të mia.
Astrit Greva nuk mbaroi ndonjë shkollë basketbolli, nuk pati asnjë kualifikim. Ai bëri vetëm shkollën normale, fillore, ciklin e lartë shtatëvjeçar, politeknikumin dhe pastaj Institutin e Fiskulturës. Nuk mundi të mësonte gjuhë të huaj. Por, ai “e vodhi” zanatin. Ai ishte i lindur për të qenë trajner, e kishte pasion dhe ishte i famshëm për mënyrën e zgjuar dhe aspak të ashpër të komunikimit me basketbollistët e tij.
Tepër i ndershëm, në fillim të viteve 70-të pohoi se ishte ezauruar dhe se nuk kishte çfarë të reje t’i jepte Agim Fagut me shokë. Kjo bëri që të ishte disa kohë i larguar, por u rikthye përsëri.
Nuk harron sesa mësoi nga prania e dy trajnerëve kinezë në Shqipëri në vitet 60-të, Pai Shi Çen dhe Shao. Pai Shi Çen ishte njeri prej tyre, të cilin e kujton më shumë. Tepër teorik, por tepër i zoti. Greva i detyrohet atij për shumë gjëra. Kujton se e nxiti të fuste në formacion Guxim Bekteshin, nga brezi i Agim Fagut dhe Edmond Mojës. Astritit nuk ia mbushte syrin “Guxi”, por Pai vlerësoi karakterin e lojtarit dhe ai u bë shtyllë. “Shtëpia nuk rri me një këmbë, por duhen të paktën dy, nëse ke 3 atëherë nuk rrëzohet aspak, Guximi është një shtyllë”, ishte arsyetimi i kinezit.
Është shumë i njohur debutimi i Partizanit të Grevës në Kupën e Kampionëve me barazimin 73-73 me Oransodën e Kantusë, kampione të Italisë, ndeshje ku Agim Fagu shënoi 48 pikë, pa ndihmën e 3-pikëshave (që nuk ekzistonin në atë kohë).
Në dhjetor të 1972-it, Astrit Greva dhe Partizani i tij ishin ndër 15 ekipet më të mirë të Europës dhe u ndeshën me Crvena Zvezdën e Beogradit. Në Tiranë u mundën me 11 pikë, ndërsa në Beograd me 25, por fituan respektin e basketbollit jugosllav. Ishin përballë të shquarve Sllavniç, Kapiçiç apo Peshiç.
Greva u miqësua me trajnerin e serbëve, Branisllav Gjorgjeviç, babain e basketbollistit të shquar më pas, Aleksandar Gjorgjeviç që doli kampion i Europës me Partizanin e Beogradit më 1992.
Aty shkëmbyen fotografi, biseduan dhe Bata, siç e quajnë në Jugosllavi, i ftoi që të blinin dhurata për fëmijët. Ata ishin thuajse moshatare dhe fëmijët kishin moshë të përafërt. Ky u bë problem në Shqipëri, pasi Astrit Greva doli në gazetën “Borba” të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ku ishte botuar dhe historia e tij me Xhorxheviçin. Për fat, në Tiranë nuk e bënë aq të madhe këtë ngjarje.
Në vitet 90-të, ai doli dy herë kampion i Shqipërisë me 17 Nëntorin, pasi Kujtim Kasmi, trajneri i përhershëm i vajzave bardheblu, shkoi në Federatë. Me kthimin e Kujtimit, Astriti u largua.
Pasioni i tij i madh që nga viti 1994 është akademia e fëmijëve të moshës nga 7 deri 14 vjeç. Vazhdon të punojë me ta në palestrën e klubit Partizani.