Partizani e Ultras Guerrils si një gjë e vetme

“Ne të Partizanit e ndjekim Kombëtaren në baza personale. Nëse do te shkosh për të parë ndeshjen shko, por mos e bëj me banerat apo simbolet e Partizanit. E kemi menduar që është më mirë të jemi sesa të dukemi, prandaj kemi ndjekur këtë rrugë. Për më tepër Kombëtarja sot është shndërruar në një biznes të skautëve, agjentëve dhe sponsorëve mediatik”. Ndërkohë që në ekran shfaqen pamjet e përleshjeve ndërmjet ultrasve italianë dhe shqiptarë në stadiumin e Tiranës, marrin kuptim fjalët e njërit prej udhëheqësve të ultrasve të Partizanit të Tiranës, njëra prej skuadrave më të rëndësishme dhe më të ndjekura në vendin e shqipeve. Kishin kaluar tashmë tre vite, por analiza e tij nuk është vjetëruar.

“Kombëtarja është shndërruar paksa në skenën ku kërkohet vëmendja. Ndiqet për ta spikatur vetveten, mbase edhe për të fituar famë në nivel klubesh apo grupimesh. Ne parapëlqejmë që të mos biem në këtë lloj mode. Shqipërinë e mbështesim në baza personale”. Personi i kontaktit flet një italishte perfekte, me lidhëzat nënrenditëse e “consecutio temporum” që të bëjnë të mendosh se ka bërë studime të thella. Po të mos ishte për “r” dhe “l” tipike të gjuhës së tij, do të kishte qenë e vështirë të mos e pandehja për italian. Zëri i tij është gjithnjë i qetë dhe ka një shprehje serioze, por shpesh në fund shpërthen në të qeshura dhe atëherë e kupton që po tallej me ty.

Baza 46 e Partizanit

Takohemi në selinë historike të Ultras Guerrils, grupimit që mbështet Partizanin e Tiranës. Aty ka një 46 e madhe që të kujton atë të Valentino Rossit, por edhe vitin e themelimit të skuadrës. Në mure janë fotografitë e ndeshjeve nga e kaluara. Ato prestigjiozet dhe ato në fushat e vogla të provincës. Përreth një tavoline flasim dhe udhëtojmë në historinë e këtij klubi të lavdishëm.

“Në Tiranë janë vetëm dy skuadra”, më thotë. Hutohem pasi më vijnë në mendje të paktën tre: krahas mikpritësve, Dinamo dhe Tirana. I përgjigjem: “Si dy?”. “Patjetër. Partizani dhe Partizani B”. Dhe shpërthen në të qeshura. “Jo, Dinamo jo. Nuk kishte shumë tifozë as para viteve të nëntëdhjeta. Tani nuk e ndjek askush”. Është e qartë që kundërshtar “par excellence” është KF Tirana. Nga një ekran shfaqen pamje të një lloj dokumentari të triumfit të fundit. Partizani e ka fituar titullin pikërisht në derbi kundër armiqëve të urryer, të luajtur në stadiumin e këtyre të fundit, për shkak të mosdisponueshmërisë së “Qemal Stafës”, që ishte në rindërtim. “Një ditë e përsosur. Askush nuk kishte guximin ta thoshte. Por të gjithë e ndjenim, ishte një ditë e përsosur”. Parakalimi nga “Baza 46”, selia e tifozëve, deri tek stadiumi dhe lumi mbresëlënës i njerëzve, koret, duartrokitjet dhe pastaj ndeshja. Në fund pushtimi i fushës për titullin e fituar, i pari që prej 1993 pas falimentimit dhe rënies në kategorinë më të ulët.

Historia e klubit dhe tifozëve të tij

Partizani lind më 4 shkurt 1946 si seksioni futbollistik i ushtrisë shqiptare. Përgjatë historisë tij ka fituar 16 kampionate, duke koleksionuar edhe 21 vende të dyta, 15 kupa kombëtare dhe – si e vetmja skuadër shqiptare që ka arritur – të imponohet edhe në nivel ndërkombëtar, duke sjellë në shtëpi Kupën e Ballkanit 1970, kundër bullgarëve të Beroe nga Stara Zagora. Megjithatë në vitet dymijë Partizani ka përjetuar një krizë të madhe, duke u fundosur në kategoritë e ulëta. Ndërhyrja e tifozëve të tij ishte largpamëse për ringritjen.

“Bota e tifozerisë është plot me histori të bukura e të veçanta. E jona, për menyrën se si jemi lindur e rritur, mund të themi vërtet që është unike. Tingëllon si një frazë klishe, të cilën janë të shumtë ata që e thonë. Por gjërat që kemi bërë ne, pengesat që kemi tejkaluar, bashkë me të gjitha vështirësitë që jemi përballur, e kanë bërë ketë definicion më të vërtetë se kudo tjetër”.

Historia e Ultras Guerrils fillon në vitet 2008-09, vite në të cilat klubi së pari lufton për kampionatin – dhe e humbet në mënyrë sensacionale në një finale për t’u harruar – e më pas në sezonin pasardhës luftohet për mbijetesën deri në fund. “Kishte probleme të mëdha financiare, lojtarët nuk paguheshin, e për më tepër skuadra ishte përzënë nga qendra stërvitore, nga selia historike e klubit, nga ana e shtetit”.

Një situatë vertetë e komplikuar, nëse jo edhe dëshpëruese, që u forcua më tej me rënien nga kategoria. Askush që e ka në zemër Partizanin nuk mund t’a harrojë vendimin e arbitrit, gjatë finales së mbijetesës, kur Arjan Mali, virojtësi, ngriti flamurin e tij duke anuluar një gol të rregullt. “Qëllimi ishte të shkatërrohej klubi, duke e rrëzuar”.

Por siç ndodh ndonjëherë, në çastet e krizës krijohen kushtet më të mira për të ecur përpara. Dhe në fakt në ato dy vite të tmerrshme krijohen dy grupime të vogla: Brigada dhe Komandos. Për shkak të vështirësive të momentit dhe objektivit të përbashkët për të mbështetur skuadrën, të dyja grupimet në Mars të 2010 vendosin të bashkohen, duke i dhënë jetë Ultras Guerrils. “Kujtimi i dyvjeçarit 2008-09 do të qëndrojë gjithnjë i gjallë në mendjet e anëtarëve të grupimit tonë, si simbol i atyre viteve. Prej aty filloi gjithçka. Prej atëherë lind, krahas pasionit, edhe mentaliteti ultrà”.

Është fillimi i një rruge të gjatë, jo gjithmonë në dishezë, që duhet të bëjë llogaritë edhe me një tjetër rënie, pasojë e së cilës një nga skuadrat më të titulluara të Shqipërisë përfundon në kategorinë e tretë. Për më tepër, ato ishin vitet kur intensifikohet kundërshtimi i presidentit Xhani, i filluar në sezonet pararendëse.

Ndërrimi i marshit në tribunë

Megjithatë është i padyshimtë ndërrimi i marshit në tribunë. Prej 2010 e deri sot Ultras Guerrils kanë qenë të pranishëm në të gjitha ndeshjet, qofshin në shtëpi apo në transfertë, edhe kur luhej në fusha të vogla sportive apo në vende që asnjëri prej tyre nuk e kishte menduar kurrë t’i vizitonte. “Jo nga euforia e një trofeu, as nga ndonjë sezon i bukur me lojtarë të mëdhenj. Jemi lindur nga nevoja dhe domosdoshmëria”.

Në disfatë, në rënie nga kategoria, në rrezikun e zhdukjes, ishte atëherë kur tifozët i dhanë kuptim dashurisë së pafund për skuadrën e tyre. Ishin të gatshëm të vuanin, të rrezikonin, të bënin gjithçka vetëm për të shpëtuar pasionin e tyre, krenarinë e tyre “dhe atë që duam më së shumti në jetë: klubin tonë”.

Por si na mësojnë shumë shembuj të ngjashëm në botën e futbollit, entuziazmi mund të mos mjaftojë dhe gjithnjë duhet bërë llogaritë me realitetin, që shpesh është shumë më i komplikuar. Ishin vitet në të cilat nuk kishte para për të paguar lojtarët dhe tifozët kanë kontribuar me iniciativa, duke përfshirë gjithë qytetin. Kanë mbajtur skuadrën, e në të njejtën kohë protestonin kundër presidentit dhe manifestonin përpara gjykatave sepse donin t’u rrënonin qendrën sportive për të ndërtuar pallate. Thënë shkurt vështirësi që do të fundosnin edhe realitete shumë më të strukturuara.

Rënia në kategorinë e tretë më pas do të përfaqësonte pikën më të ulët në historinë e klubit, aq e ulët sa për të vënë në dyshim edhe ekzistencën. “Kemi sulmuar presidentin. Dikush shkoi në burg, por Xhanit iu hoq klubi”. Pas asaj dite filloi një rrugëtim i ri me pak para dhe shumë pasion. Ranë barrierat, nuk kishte më asnjë dallim mes klubit dhe tifozëve: “Kemi shkuar në të gjithë stadiumet e kategorisë së fundit, duke bërë edhe koreografi apo duke i lënë të gatshme për ndonjë ndeshje ku do të luanim në një stadium të vërtetë”. Me vetëfinancim mundësohet pagesa e transfertave dhe lojtarëve, ndërsa në fund të sezonit vjen ngritja në kategori. “Dhe nuk kishte asnjë kollare në fushë për të festuar. Vetëm tifozë dhe lojtarë. Mbase i vetmi me kollare ishte shoferi i autobusit të skuadrës. Ai ishte ‘tribuna jonë vip’ gjatë gjithë sezonit”.

Tronditje lëvizjes kombëtare ultras

Në këtë pikë ndodhi një gjë shumë më e madhe sesa ishte parashikuar. Fjolla e dëborës që kishte filluar të binte nga malet ishte shndëruar në një ortek. Me rikthimin e Partizanit në kategorinë e parë kanë ndryshuar edhe skena futbollistike në vend dhe tifozlliku në Shqipëri. Është rindezur derbi, i cili ka ndryshuar, me koreografi, transferta masive, grumbullime. “U kemi shkaktuar probleme të gjithëve: federatës dhe mediave, edhe gjatë transfertave në Europë”.

Për të kuptuar përparimin e nivelit të tifozllikut mjafton që të shikosh fotografitë e tribunave në të kaluarën dhe ato të sotmes: kuptohet menjëherë ndryshimi dhe rritja.

Duke kërkuar qëtë mesosh më shumë për skenën e tifozërisë në Shqipëri kuptohet që është në hapat e parë dhe ka kaq shumë rrugë për të bërë. “Ne gjithmonë kemi kërkuar që të krijojmë gjëra të mëdha, por nuk ka shumë grupime, dhe ato që janë kanë tendencën që të ndjekin shembuj “negativ” të tifozërisë bashkëkohore. Tepër të vëmendshëm ndaj “show” dhe dëshirës për t’u dukur dhe për të qenë protagonist në të gjitha mënyrat. Shihen gjëra të çuditshme, pa koherencë dhe mentalitet”.

Në Shqipëri ndeshjet nuk shihen që të gjjitha në të njejtë menyrë, tifozët rastësor ekzistojnë edhe andej Adriatikut. “Por një gjë interesante, dhe që të jep kënaqësi, është se kudo që luan Partizani stadiumi është plot me tifozë kundërshtarë”. Një problem tjetër është tendenca për të braktisur skuadrën çastin në të cilin gjërat nuk shkojnë mirë. Bojkotohet klubi. “Ka grupe që në një sezon kanë më shumë muaj bojkot sesa aktivitet”.

Në imagjinatën kolektive stadiumet ballkanike janë më të lirshëm se ata italian. E megjithatë rregullat kufizuese janë edhe në këto anë. Në këto vite, për shembull, kanë hyrë në fuqi ligje të reja për sportin që marrin indikacione nga Komuniteti Europian, me ndalesa e kufizime. Por diçka ka ndryshuar edhe për mirë, falë angazhimit të tifozëve. Për shembull për rregullin publik në stadiume duhet të kujdesen “steward-ët” e jo më policia, që mund të krijonte probleme, me provokime, përleshje e arrestime. Iniciativa për ndryshimin ishte filluar pikërisht nga grupimi i Partizanit, që kishte rregullisht këso lloj incidente. Sot në stadiume nuk ka police dhe kjo është një fitore e ultrasve.

Mentaliteti i Ultras Guerrils

Edhe aspektet kulturore dhe politike janë shumë interesante, dhe përfaqësojnë vetëdijësimin dhe përgjegjësinë e rëndësishme nga ana e tifozëve. “Partizani duhet të bashkojë e jo të ndajë. Është skuadra e të gjithëve dhe nuk mund të ketë përjashtime. Shqipëria është një vend tejet i vogël pë t’u ndarë dhe për të përdorur përkatësinë politike si kusht për të qenë pjesë e tifozërisë sonë”. Kushdo individualisht mund të ketë idetë e tij politike, por në stadium ka vetëm një ideal: Partizani. “Duke thënë këtë, për t’a përfaqësuar më së miri duhet të transmetojmë vlerat dhe kuptimin e asaj që përfaqëson klubi ynë, dhe si rrjedhojë nuk jemi racistë, nuk diskriminojmë në baza territoriale, kombëtare, fetare. Dhe nuk pranojmë asnjë formë të diskriminimit. Kemi filluar nisma sociale që kanë për qëllim të ndihmojnë familjet e varfëra, që në Shqipëri janë të shumta. Për këtë arsye urrejmë të gjitha partitë dhe gjithë politikën e vendit tonë. Kur ka qenë rasti i kemi sulmuar hapur të gjithë, edhe ata politikanë që proklamohen si tifoza tanë”.

Shishet e birrës Peja kanë vijuar të “xhirojnë” përgjatë gjithë kohës së bisedës. Para se të përshëndetemi, ishte koha për një fjalë të fundit: “Në gjithçka që ka ndodhur gjithnjë kemi kërkuar të bëjmë sipas mënyrës sonë, me synimin për t’u bërë një grupim i rëndësishëm në Europë. Kemi shumë rrugë për të bërë, por me përkushtim të madh do arrijmë ku duam! Krenari, pasion, veçanti. Kjo na dallon dhe na bën të mendojmë se historia jonë është e vëçantë. Janë shumë këngë për të kënduar, koreografi për të realizuar e flamuj për të valëvitur. Janë shumë libra për t’u shkruar, e disa tituj që akoma duhet t’i fitojmë”.

Ky artikull është një adaptim i një kapitulli të librit “Questo è il mio posto” të autorit Gianni Galleri, botuar nga Urbone Publishing.

Artikulli origjinal:
https://www.meridiano13.it/partizani-ultras-guerrils-tirana-calcio-albania/

Komentoni!