
Më 18 dhjetor të vitit 1968, në Tiranë u zhvillua një prej ndeshjeve më të mëdha të basketbollit shqiptar, përplasja midis Partizanit të meshkujve dhe Oransodës së Italisë, në kuadër të Kupës së Kampioneve të basketbollit.

Asnjë ndeshje tjetër e basketbollit para apo pas atij momenti nuk ka krijuar një emocion kaq të fortë dhe nuk ka gjetur atë shkëlqim sikurse shtatlartët e kuq të Partizanit atë mbrëmje të ftohtë dhjetori, ku shkëlqeu në veçanti i madhi Agim Fagu, me 48 pikë në atë përballje, duke marrë vëmendjen e shtypit sportiv perëndimor dhe duke u radhitur krahas emrave të mëdhenj të basketbollit europian në ato vite.
Ishte raundi i dyte i Kupes sa Kampioneve ku Partizani ishte midis 16 skuadrave me te mira te kontinentit. Ndeshja midis Partizanit dhe Oransodës përfundoi në barazim 73-73. Besnik Pëllumbi nje nga gjuajtjet e tij karakteristike për të, arriti të shënoj në një moment kulmor, duke i barazuar shifrat kur kishin mbetur vetëm 7 sekonda lojë.
Por në ndeshjen e kthimit të luajtur në Lombardi fituan italianët me rezultatin 90-63 dhe kaluan më tej.
Por jehona e ndeshjes së parë, ku Partizani barazoi me një skuadër shumë të fuqishme, me kampionë të shumtë në përbërje, midis të cilëve dy amerikanë, argjentinas etj, të gjithë në skuadrat e tyre kombëtare, ndryshoi për mirë edhe imazhin e sportit tonë, që diti të ngrihet në lartësinë e kërkuar.
Trajneri Astrit Greva, sipas analizave sportive në atë kohë dhe që i mëshojnë fort edhe vetë lojtarët protagonistë në ndeshje, e përgatiti si duhet skuadrën dhe u interesua edhe për detajet më të vogla, por ia doli të bëjë një ndeshje mbresëlënëse me skuadrën e kuqe.

“Mund të them që nuk kishim asnjë të dhënë për ta, e as ata nuk kishin asnjë të dhënë për ne, – thoshte Greva ne nje interviste vite me pare. “Pritej me interes të madh kjo ndeshje dhe këtë dozë interesi e shtuan gazetarët dhe fotoreporterët. Ishin 26 gazetarë të huaj që e ndoqën takimin, një rast i rrallë. Jo vetëm se Partizani ishte kampion i Shqipërisë dhe luanin ndaj një kundërshtari që nuk e njihnin, por për këta gazetarë të udhëtojë në Shqipërinë e asaj kohe ishte diçka e jashtëzakonshme. Ne ishim vend i mbyllur dhe shumë prej tyre, më shumë sesa ndeshja, kishin kureshtje për vendin në tërësi.”

KS Partizani Tiranë – Oransoda Pallacanestro Cantù 73-73 (40-41)
Shikues: 3500
Arbitrat: Kavčić (YUG), Marin (ROM)
KS Partizani (Tr: Astrit Greva): Besnik Pëllumbi 5, Agim Fagu 48, Kujtim Kasmi 2, Nikolin Pali 11, Dodan Përmeti 4; Agim Lahi 1, Edmond Moja 2, Guxim Bekteshi, Spartak Boshniaku, Vladimir Gjini,
Oransoda Pallacanestro (Tr: Borislav Stanković): Carlo Recalcati 6, Bob Burgess 14, Mike Lynn 20, Alberto De Simone 15, Antonio Frigerio 11; Antonio Farina, Carlos D’Aquila 7






Komentoni!