
Partizani synon që të jetë pjesë e ekipeve të “Final Four”. Forma e javëve të fundit bën që ajo zonë tashmë të jetë vetëm 3 pikë larg. Trajneri Oltijon Kërnaja nuk e fshehu objektivin për dy ndeshjet e ardhshme, pikërisht ndaj Egnatias dhe Dinamos. Partizani synon minimalisht 4 pikë. Shifër kjo që tregon se objektivat janë madhorë. Fakt është që më mirë se Kërnaja në dhjetë javët e fundit ka bërë vetëm Elbasani i Ivan Gvozdenoviç.
Pavarësisht kësaj, Partizani akoma nuk ka provuar shijen e fitores ndaj ekipeve të pozicionuara në “Final Four” për këtë edicion. Elbasani, Egnatia, Dinamo dhe Vllaznia ndodhen akoma mbi të kuqtë. Me llogari të thjesht, Kërnaja pret nga ekipi që të fitojë të paktën ndaj Egnatias ose Dinamos. Më pas për të arritur objektivin minimal për vitin 2025, ndeshja tjetër nuk duhet të përfundojë me humbje.
Tri fitoret e fundit janë përballë Bylisit, Tiranës dhe Flamurtarit, që mbyllin tabelën e renditjes. Tashmë është koha për provën e vërtetë, ndaj atyre që Partizani synon të masë forcat nëse shkon në “Final Four”. Ndaj Egnatias dhe Dinamos është e vështirë, megjithatë të kuqtë janë me moralin lart. Tri fitore radhazi në kampionat nuk regjistroheshin nga maji i vitit 2024, ndërsa ekipin e drejtonte Orges Shehi. Për këtë besimi qëndron për më tepër.






Komentoni!