
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka theksuar se fitorja e skuadrës së tij ndaj Flamurtarit ishte më e vështirë për shkak të ndryshimeve të shumta në radhët e ekipit.
“I kam premtuar tre fitoret dhe me këto çuna i mbajmë premtimet, deri tani i kemi mbajtur. Sot ishte e vështirë, mos harrojmë që kishim tre zëvendësime të detyruara në formacion. Jata është 19-vjeçar që ka luajtur jashtëzakonisht mirë sot, ka një ndeshje në maj ndaj Dinamos dhe sot ndeshje të rëndësishme. Mos harrojmë Janjevën i cili u sëmur mbrëmë dhe u desh të futnim Sembene pa ritëm se vjen pas 5 javësh pushim, Mos harrojmë Shanajn që ka luajtur mirë, vinte pas një viti për herë të parë si titullar, ndaj ishte e vështirë. Por çunat e morën veten dhe ia arritëm të gjenim fitoren.
E lamë mbajtjen e topit dhe zotërimin te Flamurtari, sidomos me dy mbrojtësit e qendrës anësorë, se e dimë që nuk janë të rrezikshëm. Menduam një mënyrë tjetër, sidomos në mesfushë për presing, se automatizmat vijnë më vështirësi.
Kemi tre numra 6 që nuk ishin sot, kjo bëri që të mos ishim korrekt në minutat e parë por me kalimin e minutave djemtë e morën veten, morëm gjerësinë, provuam me anësorët me këmbë të kundërt. Provuam Buxhelajn që të merrte thellësinë, siç erdhi edhe goli. E kishim përgatitur të tillë, jam shumë i kënaqur nga djemtë, edhe nga këta që kishin kohë që nuk luanin si titullarë. Edhe pse kemi pasur mungesa, kemi një grup të madh lojtarësh që janë aty-aty. Ndaj të mbajmë këtë shpirt gare dhe të ecim përpara.
Goli erdhi nga një penallti që duhet të shihet, në një goditje këndi nuk ishte goditur ende topi, nuk është se erdhi nga aksioni i Flamurtarit, përveç aksioneve të minutave të parë. Në pjesën tjetër ishim në kontroll, ku do ishim në bllok të mesëm. Ne ndryshonim gjatë lojës, jam i kënaqur me djemtë që hynë se treguan që janë të gatshëm, edhe pse kishin pak minuta. Ju e dini që kur nuk ke 90 minuta në këmbë, është e vështirë.
Ne nuk e quajmë Partizani A apo B, i quajmë Partizani, të dy kanë objektivat njëlloj. Partizani B është krijuar për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Ata që nuk luajtën sot, do luajnë nesër, do japin njëlloj atje. Pastaj nëse luajnë te Partizani A apo B, e vendosim me stafin”, tha Kërnaja për RTSH pas ndeshjes.






Komentoni!