Pas largimit të papritur të Oltijon Kërnajës, kampi i kuq ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm për të ardhmen. Klubi ka bërë të ditur se për momentin, skuadra do të jetë në duart e stafit aktual me në krye Realf Zhivanajn, i mbështetur nga drejtori Agim Ibraimi. Megjithatë, kjo është vetëm një zgjidhje emergjente, pasi synimi kryesor është gjetja e një trajneri që do të nisë një projekt të qartë dhe afatgjatë që nga fillimi i sezonit të ri.
Në ambientet e klubit kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë, ku spikasin figura që e njohin mirë peshën e fanellës dhe kërkesat e kryeqytetit.
Kandidatët kryesorë në listën e dëshirave
- Edlir Tetova: Konsiderohet si një nga emrat më interesantë. Tekniku që shkëlqeu me Egnatian pritet të mbyllë aventurën e tij atje në fund të sezonit. Tetova nuk është i huaj për Partizanin, pasi ka qenë pjesë e ekipit si futbollist në vitin 2010.
- Shpëtim Duro: Një “veteran” i pankinës së të kuqve, të cilët i ka drejtuar në tre periudha të ndryshme (2001-2002, 2008-2009 dhe 2013). Përvoja e tij e gjatë në kampionatin shqiptar garanton stabilitet në situata të vështira.
- Ilir Daja: Edhe pse aktualisht në drejtimin e Dinamos, Daja mbetet një kandidat serioz për shkak të përvojës dhe qasjes së tij taktike. Ai e njeh mirë ambientin pas eksperiencës së tij me Partizanin në sezonin 2020-2021.
- Zoran Zekiç: Trajneri kroat, i cili ishte pjesë e Partizanit në vitin 2023, mbetet një profil që pëlqehet nga drejtuesit. Së fundmi ai ka qenë pjesë e Sarajevos dhe njohja e kërkesave të klubit e mban atë në listën e pretendenteve.
Nevoja për stabilitet
Ky sezon ka qenë mjaft i trazuar për Partizanin sa i përket stolit. Ekipi e nisi rrugëtimin me Skënder Gegën, vazhdoi me Mladen Milenkoviç dhe së fundmi me Oltijon Kërnajën. Këto lëvizje të shpeshta kanë ndikuar negativisht në vazhdimësinë e rezultateve dhe stabilitetin e lojës.
Për këtë arsye, zgjedhja e radhës nuk duhet të bazohet vetëm te emri, por te një projekt që mund të ofrojë qëndrueshmëri. Drejtuesit pritet të analizojnë me kujdes tregun, i cili mund të ofrojë alternativa të reja në javët e fundit të sezonit, për të siguruar që Partizani të kthehet në një forcë konkurruese ne Superlige.
Si mendoni? Kush eshte emri i duhur per stolin e kuq?
