Site icon Partizani.net

Tifozët! Krenaria dhe shpirti i Partizanit

Reklama

Partizani, ky emër i madh i futbollit shqiptar, i njohur brenda e jashtë vendit si ekip që ka bërë një histori të pasur, fitues si në kampionat dhe në kupë, madje i vetmi ekip shqiptar që ka edhe një trofe ndërkombëtar (Kupë Ballkanike), këto vitet e fundit u ka munguar niveleve të larta të kampionateve të luajtura në Shqipëri.

Rënia e Partizanit nga Superliga në 2008, vijimi në Kategorinë e Parë për dy vjet dhe rënia në Kategorinë e Dytë, ku luan aktualisht, përbën dramën e këtij ekipi për të cilën është shkruar e folur jo pak. Nuk duam që në këtë shkrim të themi kush ishin shkaqet që e kanë çuar Partizanin në nivelet më të ulëta të futbollit të luajtur tek ne, sepse ato tashmë dihen. Sot jemi në kohën kur shpresat për ringritjen e ekipit ekzistojnë dhe janë reale. Stafi dhe lojtarët po bëjnë maksimumin për të qëndruar në krye të grupit B, që të sigurojë ngjitjen në Kategorinë e Parë, paçka se ana financiare ka vazhduar t’ju mungojë edhe pse Ministria e Mbrojtjes i ka në administrim.

Tifozët e Partizanit që e mbajtën gjallë ëndrrën për të rikthyer legjendën në nivelet e larta të futbollit, janë shpirti që e kanë frymëzuar dhe po e mbështesin në ditët më të vështira të historisë së tij. Kur të gjithë e braktisën këtë ekip, madje edhe kur atyre iu morën të gjitha asetet e kushtet që kishte klubi i Partizanit për akomodim dhe stërvitje, kur u larguan lojtarët e trajnerët për shkak të mungesës financiare, vetëm tifozët mendonin për Partizanin.

Ata dhe vetëm ata kanë meritën e parë pse ky ekip ka mbijetuar, pa dashur të harrojmë të gjithë lojtarët e brezave të Partizanit ndër vite dhe gazetarët e specialistët që në jo pak herë e kanë quajtur Superligën tonë pa Partizanin si “gjellë pa kripë”. Këta tifozë që e duan Partizanin si gjënë më të shtrenjtë e kanë mbështetur ekipin në të gjitha ndeshjet, si brenda dhe jashtë Tiranës. Ata kanë lënë gjurmët e tyre me sjelljen dinjitoze në fusha e stadiume si në Këlcyrë, Bilisht, Përmet, Tepelenë, Kuçovë, Librazhd dhe po përgatiten ta mbështesin dhe inkurajojnë ekipin drejt fitores edhe në transfertën e radhës këtë të diel në Përrenjas.

Kjo tifozëri tashmë e konsoliduar me logo, organizim me djem të rinj, burra të pjekur, madje dhe të moshuar, ka krijuar brezat mbi të cilët po rilind jo vetëm ekipi, por po rrit, konsolidon e zhvillon vetveten në misionin e saj për të përkrahur ekipin e zemrës, Partizanin, dhe për ta çuar atë në majat e futbollit tonë kombëtar, ashtu siç e ka pasur traditën e tij ky ekip legjendë.

Fotot e videot e tyre tani lënë gjurmë jo vetëm në mediat e shkruara e audio-vizive, por edhe në faqet në internet. Aty ata kanë krijuar profilet e tyre ku japin mendimet, vërejtjet e sugjerimet për lojën e ekipit, si dhe bëjnë të gjitha njoftimet për organizimet e ndryshme në aksionet e tyre sportdashëse.

Partizani luan në Kategori të Dytë, por mbështetjen e tifozërisë do t’ia kishin zili edhe Tirana e Dinamo që luajnë në Superiore. Jo më kot edhe në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku luan ndeshjet brenda Partizani, biletat janë me një çmim më të lartë sesa kur aty zhvillohet një ndeshje e Superiores. Edhe menaxhuesit e stadiumit e dinë se me Partizanin fitohet, sepse me Partizanin ka tifozëri të rregullt që e duan me shpirt ekipin dhe ata shohin e ndjekin vetëm Partizanin.

Për ata nuk ka futboll pa Partizanin dhe këtë e demonstrojnë në stadium kur thonë: “S’ka Dinamo, as Tiranë po nuk pati PARTIZAN”. Tifozëria duhet respektuar për atë që ka kërkuar, kërkon dhe demonstron në stadiumet e futbollit; për atë që ka bërë, bën dhe do të bëjë për Partizanin. E nëse deri dje nga kushtet që u krijuan për ekipin e mbështeste ekzistencën e tij me parulla në mure, në rrugë nacionale, në parqe e kudo ku mund të shkruhej, me demonstrime paqësore në rrugë, para gjykatës apo federatës, tani ajo po demonstron vlerat e veta të tifozërisë në stadiume e qytete të ndryshme të vendit.

Në Librazhd, tifozët vendas kanë ndjekur e parë me kureshtje e habi gjatë gjithë ndeshjes tifozët e Partizanit, të cilët në shi dhe në të ftohtë këndonin e brohorisnin për ekipin e zemrës, madje të zhveshur nga mesi e lart, pa parë fare lojën që luhej në fushë. Në fund të takimit, të gjithë qytetarët përshëndesnin me dorë tifozët e Partizanit. Ku ka më bukur sesa të fitosh respektin e kundërshtarit, madje në shtëpinë e tij, edhe kur ti ke fituar.

Kjo është tifozëria e Partizanit që tani e kanë zili të gjithë. Ajo nuk është vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, sepse të gjithë e duan Partizanin. Këtë e shpreh edhe thirrja e tyre: “Tirana, Dinamo të plasin nga zilia, se Partizanin e do e gjithë Shqipëria”. E duan të ngjitet lart e më lart, për të qenë në elitë ashtu si sot në elitë është tifozëria e saj e zjarrtë, që e do me shpirt PARTIZANIN. Këtë të vërtetë ata e kanë simbolizuar me thënien e tyre të zemrës: “Përjetë me ty PARTIZAN!”

Shkrim nga Halil Vata

Exit mobile version