Site icon Partizani.net

Erta Bujari rinovon me Partizanin, trajnerja e basketbollit për femra nis sezonin e pestë në stolin e kuq

Reklama

Erta Bujari do të vazhdojë të drejtojë ekipin e basketbollit për femra të Partizanit edhe për një tjetër sezon. Trajnerja ka rinovuar kontratën e saj me klubin kryeqytetas për një vit tjetër, duke u bërë kështu teknikja që ka qëndruar më gjatë në stolin e të kuqeve.

Me këtë marrëveshje, Bujari nis zyrtarisht sezonin e saj të pestë në krye të Partizanit në basketbollin e femrave, duke vazhduar projektin që ka ndërtuar me skuadrën gjatë viteve të fundit.

Në bashkëpunim me drejtuesit e klubit, trajnerja pritet të nisë menjëherë punën për ndërtimin e ekipit të sezonit të ri. Fillimisht fokusi do të jetë te rinovimi i basketbollisteve aktuale, ndërsa paralelisht po punohet edhe për afrime të reja.

Pas sukseseve në Kupë, Superkupë dhe në Ligën Unike, objektivi madhor që mungon për ekipin e basketbollit për femra të Partizanit mbetet titulli kampion në Shqipëri. Brenda klubit ekziston bindja se sezoni i ardhshëm duhet të jetë ai i rikthimit në majën e basketbollit shqiptar.

Një tjetër moment historik për klubin do të jetë pjesëmarrja në WABA League për sezonin 2026-27. Partizani ka marrë zyrtarisht një “wild-card” për t’u bërë pjesë e kompeticionit prestigjioz rajonal, duke hyrë mes 59 klubeve pjesëmarrëse të ligës. Për ekipin e femrave të kuqe, kjo konsiderohet një arritje shumë e rëndësishme dhe një mundësi për të përfaqësuar basketbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Erta Bujari konsiderohet si një nga figurat kryesore në ringritjen e basketbollit të femrave te Partizani, ndërsa tashmë synon të udhëheqë skuadrën drejt trofeut më të rëndësishëm në nivel kombëtar.

Exit mobile version