Site icon Partizani.net

Qirko dhe Bytyçi liderët e Partizanit, ja lojtarët me më shumë paraqitje këtë sezon

Reklama

Partizani kaloi një sezon me shumë ulje-ngritje, ndryshime në stol dhe probleme të shumta me dëmtimet, por disa futbollistë arritën të ruanin vazhdimësinë dhe të ishin pika kyçe për skuadrën gjatë gjithë kampionatit.

Në krye të listës së lojtarëve me më shumë aktivizime renditen Pano Qirko dhe Altin Bytyçi, të dy me nga 32 ndeshje të zhvilluara. Portieri i të kuqve ishte një nga elementët më të qëndrueshëm të ekipit, duke qenë titullar i padiskutueshëm dhe shpesh vendimtar me ndërhyrjet e tij. Nga ana tjetër, Bytyçi konfirmoi rëndësinë në repartin difensiv, duke ruajtur stabilitet edhe në momentet më të vështira të sezonit.

Me të njëjtin numër paraqitjesh e mbylli kampionatin edhe Toma. Sulmuesi ishte një nga surprizat pozitive të ekipit, teksa realizoi 5 gola dhe dha kontribut të rëndësishëm sidomos në fazat e para të sezonit.

Një tjetër emër që spikati ishte Vusal Isgandarli. Futbollisti azerbajxhanas zhvilloi 31 ndeshje dhe u shpall golashënuesi më i mirë i Partizanit me 6 realizime. Në shumë sfida ai mori përsipër përgjegjësinë në repartin ofensiv dhe ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Me 31 paraqitje sezonin e mbylli edhe Human, i cili konsiderohet si një nga futbollistët me më shumë potencial merkatoje te të kuqtë. Paraqitjet e tij kanë tërhequr interes dhe nuk përjashtohet mundësia që gjatë verës të ketë oferta konkrete për mesfushorin ofensiv.

Në listën e lojtarëve më të aktivizuar bëjnë pjesë edhe Redon Ismaili dhe David Atanaskoski me nga 29 ndeshje secili. Të dy dhanë kontribut të rëndësishëm gjatë sezonit, sidomos në repartin mbrojtës dhe në tranzicionin e lojës.

Ndërkohë, Saliu Sembene dhe Janjeva e mbyllën kampionatin me nga 25 paraqitje, duke qenë pjesë e rëndësishme e rotacionit të skuadrës. Po ashtu, minuta të konsiderueshme mori edhe Adnard Mehmeti, i cili zhvilloi 21 ndeshje gjatë sezonit.

Në listën e 10 futbollistëve me më shumë aktivizime përfshihet edhe Diego Kontreras. Sulmuesi luajti 20 ndeshje dhe realizoi 4 gola, duke dhënë kontribut të vlefshëm në repartin ofensiv.

Edhe pse sezoni nuk u mbyll sipas objektivave të klubit, këta lojtarë përbënin bazën e Partizanit gjatë gjithë kampionatit. Drejtuesit synojnë të ruajnë pjesën më të madhe të grupit aktual dhe të ndërtojnë një skuadër më konkurruese për sezonin e ardhshëm.

Exit mobile version