Në zyrat e klubit të kuq po punohet me ritëm të lartë për të lënë pas zhgënjimin e sezonit të fundit. Strategjia e drejtuesve për vitin e ardhshëm është tashmë e qartë: mosshkatërrimi i grupit.
Për t’i dhënë fund luhatjeve të vazhdueshme, Partizani ka vendosur të ndjekë rrugën e stabilitetit, duke synuar të konfirmojë rreth 70% të organikës aktuale si bazën mbi të cilën do të kërkohet rikthimi te suksesi.
Klubi konsideron se skuadra posedon një bërthamë cilësore që meriton besim, ndaj plani është që ekipi të rrotullohet rreth emrave si Qirko, Preka, Atanaskoski, Buxhelaj, Qaka, Dumbia, Marku dhe Human.
Mungesa e të ardhurave nga kompeticionet europiane këtë vit ka diktuar një qasje më pragmatike. Ndonëse prioriteti është mbajtja e yjeve, Partizani nuk do të jetë “i shurdhër” ndaj ofertave të majme ekonomike, por çdo largim i mundshëm do të peshohet mirë për të mos dëmtuar ambicien sportive.
Drejtori Sportiv, Agim Ibraimi, është arkitekti i këtij cikli të ri ku stabiliteti mbetet kryefjala. Emërimi i trajnerit të ri mbetet hapi final, i cili do të ketë autoritet të plotë për të vulosur afrimet cilësore që do të plotësojnë grupin, me synimin e qartë për të rikthyer “Demat” në majën e futbollit shqiptar.
