Sot në “Arenën e Demave”, Partizani zbret në fushë për të përballuar Flamurtarin në një moment që përkufizohet si delikat dhe vendimtar për ecurinë e sezonit. Kjo sfidë mbart një peshë specifike, jo vetëm për tri pikët që janë jetike në garën për “Final 4”, por edhe sepse shënon fillimin e një kapitulli të ri pas largimit të trajnerit Oltijon Kërnaja.
Drejtimi i skuadrës i është besuar përkohësisht Realf Zhivanajt, i cili vjen në këtë rol me detyrën e vështirë për të rikthyer qetësinë dhe për të menaxhuar grupin në një periudhë tranzicioni. Tifozët dhe drejtuesit presin një reagim të menjëhershëm nga lojtarët, të cilët duhet të tregojnë karakter përballë një Flamurtari që nuk pritet të bëjë lëshime, duke qenë se çdo gabim në këtë fazë mund të kushtojë shtrenjtë për objektivat e të dyja ekipeve.
Në aspektin teknik, Zhivanaj do të duhet të bëjë llogaritë pa mesfushorin Dumbia, i cili mungon për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve. Mungesa e tij krijon një boshllëk në ekuilibrat mbrojtës të mesfushës, duke qenë se Dumbia ka shërbyer si një urë lidhëse e rëndësishme në tranzicionin e lojës.
Megjithatë, stafi teknik merr frymë lirisht me rikthimin e Redon Ismailit dhe Altin Bytyçit qe vijne nga pezullimi dhe pritet të nisin ndeshjen si titullarë. Ismaili do të jetë përgjegjës për të sjellë qartësi në organizimin e aksioneve, ndërsa Bytyçi në repartin e prapavijës.
Faktori fushë dhe mbështetja e tifozëve në “Arenën e Demave” mund të rezultojnë vendimtarë sot. Mbetet për t’u parë nëse ky ndryshim në stol do të shërbejë si shkëndija e nevojshme për të rikthyer Partizanin te rezultatet pozitive dhe për të mbajtur gjallë shpresat për fazën finale të kampionatit.
