Site icon Partizani.net

Shfajësohet Shehi: Kundershtari ishte i fortë, me lojtarë nga Amerika Latine

Reklama

Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në “Elbasan Arena” ndaj maltezëve të Marsaslok, në duelin e parë të vlefshëm për raundin e parë të Ligës së Konferencës. Menjëherë pas kësaj përballje foli edhe trajneri i të kuqve, Orges Shehi, i cili për mikrofonin e “MCN”, ndër të tjera deklaroi:

“Bëni gabim që i vlerësoni kundërshtarët kështu, futboll luajnë të gjithë. Kundërshtari kishte lojtarë cilësore, ka stacionet e veta ku ndërtojnë lojën. Lojtarët i ka nga vendet e Amerikës Latine, nuk është konstatim i drejtë. U munduam të bënim gjithçka, kishim rastet tona. Po të kishim shfrytëzuar rastet, do të kishim rezultat më të mirë. Kualifikimi është me 2 ndeshje, të rikuperojmë forcat dhe të përgatitemi për ndeshjen tjetër.  

Kundërshtari në pjesën e dytë u mbyll, pjesa e parë ishte tabllo tjetër. Provuam me krosime nga linja e dytë dhe goditjet nga distanca. E filluam ndeshjen keq, shënuam shpejt, një mos përqendrim na shkaktoi barazimin. Skuadra u mundua të bënte më mirë, doli përpara portës. Dëshira e madhe për ta fituar bëri që të gabojmë në situata që mund t’i kishim zgjidhur më mirë.  

Kur kundërshtari mbyllet mbrapa, duhet ta qarkullonim topin më shpejt. Kërkuam krosimet me Zekën dhe Zguron, kanë kros të mirë, mund të kishim tentuar më shumë. Mos kërkonim të luanim mes linjave, por të kërkonim ndërrimin e krahut dhe krosime më të shpejta.  

Kemi 1 javë kohë, kjo është ndeshja jonë e parë zyrtare. Na duhet qartësi dhe freski. Do punojmë këtë javë, për të gjetur pikat ku duhet të përmirësohemi. Do të shkojmë atje për kualifikimin.  

Do të mundohemi të shkojmë sa më larg në Europë, por objektivi është që të kualifikohemi në Maltë”, deklaroi Shehi.  

Exit mobile version