
A do të jetë apo jo Dritan Mehmeti në pankinën e Partizanit në sezonin e ardhshëm? Kjo është pyetja që ngrihet në një moment shumë delikat për të kuqtë, me zërat që shtohen vazhdimisht për emra teknikësh të tjerë që janë pranë klubit kryeqytetas.
I ngacmuar rreth kësaj teme në “Gol pas Goli”, Mehmeti ka bërë të qartë se nuk e mendonte këtë temë pa mbaruar sezoni, edhe pse përmirësimi i rezultateve të Partizanit ishte i dukshëm. Por ndërkohë, në studio, nga moderatori Gjergji Stefa është lexuar një SMS që mbërriti në ato çaste nga presidenti i të kuqve, Gazment Demi.
“Mehmeti është trajneri im”, ishin fjalët e numrit një të të kuqve. Një konfirmim se klubi pritet të vazhdojë me teknikun në drejtim, në Europë apo në sezonin e ardhshëm, duke i besuar projektin e ri.