Në vigjilje të sfidës së nesërme ndaj Skënderbeut, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 16:45, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, i cili ka analizuar këtë takim për të kuqtë.

Ndeshja ndaj Vllaznisë – “Për mënyrën sesi ne e kemi trajtuar ndeshjen ndaj Vllaznisë, ndihet në aspektin psikologjik rënia te futbollistët, por kemi zhvilluar një sfidë të mirë. Në të tilla situata duhet të kishim lojtarë me më eksperiencë, siç kishim mundësitë që të shkonim 2-0 me traversën e Skukës, por edhe një situatë tjetër po me Skukën që mund të shërbente për Kallakun. Këto janë situata që ndodhin në futboll, pavarsësisht se janë ndeshje me tension dhe duhen qetësi.”

Skuka – “Skuka është një djalë i talentuar, për cilësitë e tij futbollistike dhe si karakter ai është njeri shumë i mirë dhe pozitiv. Problemi i tij është që ai është edukuar sportivisht keq para se të vinte te Partizani. Vjen nga ligat inferiore dhe të bësh diferencën dhe të ngjitesh kaq shpejt në majën e futbollit shqiptar është e vështirë të sinkronizohet. Nuk është lojtar egoist, por është mësuar të luajë ashtu. Jam munduar të punoj me të dhe në aspektin psikologjik, por edhe taktik. Ka vlera, por nëse do të jetë taktik do të rritet shumë sepse ka dhe një karakter të fortë dhe do ta kalojë shumë shpejt këtë situatë.”

Skënderbeu – “Ne do ta respektojmë kundërshtarin sepse në të tilla situata, roli psikologjik vlen shumë. Në të tilla raste kur kundërshtari i ka humbur objektivat dhe luan pa presion, mund të na vështirësohet situata. Duhet të jemi shumë të vendosur dhe të mos e nënvlerësojmë ekipin tjetër. Për ndeshjen e kaluar, ne kemi bërë maksimumin dhe duhet të punojmë fort për objektivin minimal që ka Partizani.”

Dëmtimet – “Kemi pasur probleme me dëmtimet. Kemi Zhuniorin që problem me kaviljen. Edhe Rrapaj vinte nga një dëmtim, e zëvendësova sepse më kërkoi ndërrim dhe iu ngarkua dëmtimi që kishte. Do të flasim me stafin mjekësor se çfarë do të bëhet.”

Presioni – “Presioni është gjithmonë te Partizani, jo vetëm te stafi, por edhe te lojtarët sepse është vetë fanella që ta imponon.Partizani është një klub i madh dhe gjithmonë ka pretenduar objektiva të mëdha, të vjen keq sepse nuk e meritonim të largoheshim nga Kupa e Shqipërisë. Ky është futbolli, është i paparashikueshëm. Presioni është jo vetëm te Partizani, por edhe te klubet e tjera. Kush do të dijë ta përballojë më së miri presionin do t’ia dalë.”

E ardhmja – “Unë jam i fokusuar që të arrij te objektivat që ka klubi. Kam marrëdhënie të mirë si me presidentin, por edhe me drejtorin. Jam munduar të bëj maksimumin. Kemi bërë themelet që të ndërtojmë një skuadër kompetitive dhe për kampion. Me Mehmetin ose pa Mehmetin duhet që Partizani të mos gabojë më në marrjen e lojtarëve në merkato. Duhet të vijnë lojtarë me karakter, lojtarë fituesi dhe duhet të dinë se çfarë fanelle është.”, përfundoi Dritan Mehmeti.

Komentoni!

Abonohu

Abonohu që të marrësh të gjitha lajmet me email.

Komentet e fundit

  1. Presidenti dhe klubi duhet ta kundershtojne me force kete padrejtesi, sepse eshte bere si e modes qe arbitrat gabojne ndaj…

Lajme te Tjera

Homepage | About Us | Privacy Policy

Zbuloni më tepër nga Partizani.net

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin