Not / Trajneri Bregu: Nga Partizani prisni surpriza
Not / Trajneri Bregu: Nga Partizani prisni surpriza 22.04.2015 | 18:16

Dashamir Bregu, trajneri i Partizanit në not, teksa analizon të gjitha garat kombëtare të zhvilluara deri më tani, vë re se ka rritje në pjesëmarrje dhe cilësi. Por sipas tij, noti nuk ka nevojë të niset nga idetë e fitimi si kolektiv, por nga individët.

Që do të thotë se nuk mund të konkurrohet me logon “shumë e për lumë” sa për të marrë pikët, por duhet të ketë norma kualifikimi pjesëmarrjeje. Sa për notarët e vet, Allarajn dhe Veli, Bregu deklaron se krahasimet bëhen me rezultatet ndërkombëtare të para në internet.

Premton surpriza nga Partizani në garat e ardhshme, ndërsa vlerëson si notarë cilësor Franc Aleksin dhe Binald Mahmutin. Por si më të denjin për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Kazanit, Bregu sheh Sidni Hoxhën. Ja dhe intervista e tij për Gazetën “Telegraf”, të cilën AlbanianSport.net jua sjell këtu. 

- Kanë përfunduar dy garat e para kombëtare, kampionati i fëmijëve dhe ai i të rriturve dhe të rinjve, si do të mund të konsiderohen?

– Për nga pjesëmarrja dhe cilësia e paraqitur në pishinë duhen konsideruar të mira. Megjithatë duke e ditur që noti është një sport individual dhe jo kolektiv jo çdo arritje mund të quhet pozitive nëse Te Stela, apo Tirana dolën kampione. E kam fjalën se nuk mund të bëhet not me idenë që po fus notar në pishinë në çdo garë sa për të marrë pikë. Sepse është njësoi si të marrësh nga rruga e ta fusësh në pishinë. Përkundrazi duhet të ketë norma kualifikimi, në mënyrë që të marrin pjesë më të mirët dhe kampionati të ketë shumë më tepër arritje. Pati rekorde, por kuptohet që kemi ende shumë për të bërë. 

- Jeni përfaqësuar me Allarajn dhe Velin, si janë rezultatet e tyre në krahasim me të tjerët që dolën në këtë kampionat?

– Duhet të kuptoni diçka, rezultatet e këtyre notarëve unë nuk i krahasoj me këto këtu. Duke qenë gjithnjë i azhurnuar me internetit dhe duke parë rezultatet që arrihen në arenën ndërkombëtare, atëherë unë bëj krahasimet e mia. Sepse kërkoj më të mirën nga notarët e mi. Mos harroni Ledia Allaraj është vetëm 12 vjeç dhe thuajse në të njëjtën moshë me të është dhe Ergi Veli. E të dy arrijnë të fitojmë me të mëdhenj në moshë. Dhe kjo për mua është një plus. 

- Para kampionatit të fëmijëve dhe të rriturve keni qenë pjesëmarrës në aktivitetin e Malit të Zi, quajtur ndryshe “Mimoza Kup 2014”. Si ishin rezultatet e notarëve tuaj në krahasim me atë aktivitet?

– Sigurisht që ka rritje. Nëse Veli në 100 metra shpinë ishte në Tivar 1’15, këtu ishte i pari me 1’13”31. Dhe kjo nuk është pak, e theksoj dhe një herë. Po kështu dhe Allaraj ka pasur rritje në rezultate dhe kështu do të vazhdojmë dhe në aktivitetet në vazhdim. Janë gjithnjë notar që rrisin cilësinë e tyre dhe që do të ecin gjithmonë e më shumë përpara. 

- Por Partizani vetëm me këto notarë mbahet?

– Absolutisht jo. Ne kemi dhe me moshë më të vogël se Allaraj, apo dhe Veli. Por duhet të prisni, sepse në garat kombëtare që janë në korrik në pishinën e hapur nga Partizani do të ketë dhe surpriza. Dhe për këtë duhet të jeni të sigurt. 

- Ka një pauzë shumë të gjatë deri në kampionatin e fëmijëve më 2-3 korrik, si do t’i mbani në aktivitet notarët tuaj?

– E vërtetë kjo. Në ballkaniadën që bëhet në Rumani nuk kemi mundësi të marrim pjesë. Kishim parashikuar që të shkonim në Dubrovnik, por për arsyet e mia shëndetësore më 15-23 maj duhet të jem për kontroll në Holandë. Sigurisht që do të gjejmë alternativë tjetër për të parë notarët tanë në gara përpara se të vijnë aktivitetet kombëtare. 

- Ndërkohë do të notohet dhe në Baku, Tbilisi dhe Kazan. Është fjala për Lojërat Olimpike Evropiane, Festivalin Evropian Olimpik Rinor, si dhe Botërorin. Çfarë parashikoni?

– Nëse doni të dini realitetin, i vetmi që mund të na përfaqësojë denjësisht në Botëror është Sidni Hoxha. Të them të drejtën unë nuk e di se ç’formë ka aktualisht. Por nisur nga ajo që kam parë kur ishim në Lojërat Olimpike në Pekin, apo dhe çfarë ka dhënë dhe në aktivitetet e tjera ndërkombëtare, mendoj se na përfaqëson denjësisht. Në Amerikë kemi dhe Klavio Meçen që përsëri nuk e di se në ç’formë është. Kurse përsa i përket të tjerëve këtu, më duhet të them që Franc Aleksi dhe Binald Mahmuti, me rezultatet që kanë dhënë dhe çfarë kanë përfaqësuar aktualisht, janë notarë shumë cilësor. Duhet të ishte dhe Anxhela Kashari, të cilën tashmë dihet se si përfundoi. Por besoj në një përfaqësim dinjitoz të të gjithë atyre që do të përfaqësojnë Shqipërinë 

- Së fundmi, si e shihni të ardhmen e notit shqiptar?

– Ka një punë kolosale nga trajnerët dhe një numër të madh notarësh, të cilët tashmë kanë nevojë për më shumë përkrahje, sepse janë në gjendje të japin më të mirën e tyre. (albaniasport.net)

SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015