Titulli kampion, a eshte ky viti i duhur?
Titulli kampion, a eshte ky viti i duhur? 30.10.2014 | 00:00
Viti 1993 daton titullin e fundit kampion të fituar nga legjenda e futbollit shqiptar, Partizani. Që nga ai vit, të kuqtë kanë mundur të ngrenë në qiell vetëm dy Kupa të Shqipërisë (1997, 2004) dhe një Superkupë (2004). Më pas, black-out total për një emër që kishte sunduar për dekada skenën e futbollit në Shqipëri. Nuk ka më arsye për të nxjerrë justifikime për të shkuarën. Tani të gjithë ne duhet të përqëndrohemi tek e ardhmja, një e adhme që shumë shpejt do të vishet me ngjyrën e kuqe. Mbase që në këtë sezon.
 
Por a është ky viti i duhur? Nëse skuadrat e tjera, kryesisht Skënderbeu, Flamurtari apo Kukësi, që kanë ruajtur të njëjtën organikë si një vit më parë, do të kishin vendin e parë, Partizani duhej të bëhej gati për sezonin tjetër. E kuptueshme kjo po të kemi parasysh reformimin rrënjësor të organikës së lojtarëve, çka solli një ndryshim me 90% të elementëve në ekip. Por skuadrat e lartpërmendura, për arsye të ndryshme, nuk kanë hapin e duhur dhe vendin e parë e ka Partizani. Nëse shohim me kujdes organikën e lojtarëve të skuadrës sonë me ato të ekipeve të tjera, mund të vëmë re si pakkush ka një skuadër kaq solide sa ekipi i trajnerit Shpëtim Duro. Vërtet mund të gjejmë emra më të lakuar, por kjo gjë vlente për javën e parë të kampionatit, madje për krejt fazën e parë, kur në nëntë ndeshje të luajtura, të gjithë krijuam idenë e forcës së skuadrës sonë. E vërteta, krejt ballëhapur dhe pa zbukurime, përmblidhet në tre fjalë të vetme: Partizani është ekip!
 
Analiza që do të bëjmë kalon në disa pika mëse normale, por që ndonjëherë pasioni dhe dëshira bën që pjesa dërrmuese e tifozërisë të mos i marrë në konsideratë. Pika e parë e kësaj analize është skuadra:
 
Për portën askush nuk ka dyshime: Alban Hoxha është portieri më i mirë në Superiore. Trashëgimtari i denjë i Orges Shehit, pas të cilit ne nuk patëm asnjë portier të këtij niveli. Rastësia bën që Albani të jetë trashëgimtar i ish-portierit tonë dhe në Kombëtare, kur mbase nga sezoni i ardhshëm do të jetë numri dy në ekip pas Etrit Berishës.

Në mbrojtje jemi solidë. Ardhja e Endri Vrapit ka rregulluar një repart që ishte i fortë, por që tani është bërë perfekt. Nga katërshja e zakonshme e titullarëve (Arbnor Fejzullahu, Amir Rrahmani, Endri Vrapi, Ardian Cuculi), kemi dy elementë të nivelit ndërkombëtar, pasi luajnë dhe në skuadra përfaqësuese, Rrahmanin dhe Cuculin. I pari është grumbulluar nga Xhani e Biazi në skuadrën A të kuqezinjve pas një eksperience të shkëlqyer me skuadrën U-21 të Skënder Gegës, ndërsa i dyti është pjesë fikse e përfaqësueses së ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM). Fejzullahu është një nga anësorët e djathtë më të mirë të ligës, ndërsa Vrapi nuk ka nevojë për publicitet. E të mendosh se vetëm me këta lojtarë mund të ndreqësh një repart në rast nevoje. Fejzullahu dhe Cuculi e bëjnë shumë mirë qendërmbrojtësin, sikundër Vrapi anësorin e majtë. Më pas në stol kemi Labinot Ibrahimin, Ignat Dishlievin dhe Arben Muskajn.

Mesfusha është një nga më cilësoret në ligë. Shkatërrues si Idi Batha nuk ka asnjë skuadër, ndërsa pozicionimi i Lorenc Trashit në po këtë rol, është një meritë e trajnerit Duro, që e ka kthyer Trashin në një element të domosdoshëm në skemat e tij. Mentor Mazrekaj dhe Emiljano Vila janë dyshja më e mirë e mesfushorëve të krahut, pasi asnjë ekip nuk është i kompletuar nga krahët kështu. Kapiteni Nderim Nexhipi është ngritur në lartësinë e lojërave të tij që kur trajneri Duro e ktheu në rolin e preferuar, atë të lojtarit pas sulmuesit kryesor dhe po rritet nga ndeshja në ndeshje duke u bërë pikë referimi në çdo aksion dhe në çdo shpërndarje topash. Gati në çdo moment është Lirdon Osmanaj, që bën edhe sulmuesin dhe Argjend Mustafa.

Në sulm është Stevan Raçiç, serbi shtatlartë që u pa plot skepticizëm kur erdhi, por që u shndërrua në pykën më të mirë të superligës. Ëndrrat e verës si Bushiç apo Gilberto duken si liliputë para forcës shkatërruese fizike të sulmuesit tonë dhe aftësive të tij si golashënues. Astrit Fazliu është lojtari i shpejtë dhe problematik për çdo mbrojtje dhe me Raçiçin duket se krijon dyshen ideale, por skema që ka dhënë më shumë rezultat është ajo e me një pykë të vetme, ndaj Fazliu është një rezervë luksi për Partizanin. Shto këtu edhe prodhimin e akademisë së kuqe, Gjonikaj, Ismaili dhe Vatnikaj, tre të rinj të talentuar që premtojnë shumë, Partizani ka të gjithë organikën e duhur për të përballuar kampionatin. Por përpara kemi edhe 8 ndeshje dhe më pas vjen merkatoja e dimrit. Nëse skuadra ka këtë pozitë, nuk përjashtohet ndonjë goditje cilësore.
 
Sa i takon trajnerit, në këtë rast do të vlente ajo shprehja “fjalët e shumta janë fukarallëk”. Është gjithçka meritë e tija që e ka ngritur Partizanin në këto nivele duke ndërtuar një ekip sipas idesë që kishte në kokë. Mbase ekipi në javët e para nuk ishte shumë argëtues, por edhe loja po ngrihet me ritme të kënaqshme, çka na bën të mendojmë me të vërtetë se kësaj radhe po, është viti ynë.
 
Por nëse klubi ka investuar kaq shumë për një skuadër kaq cilësore, tifozëria jonë e mrekullueshme duhet të zgjohet nga letargjia e pritjes, një letargji që na ka mbushur me pesizimës dhe skepticizëm. Ky vit mund të jetë viti ynë, por edhe nëse nuk ia dalim, do jemi protagonistë absolutë. Ndaj përgjigja jonë, e tifozëve të Partizanit duhet dhënë në shkallët e stadiumit. Sepse, nëse jemi të gjithë së bashku asgjë s’na ndalon! Të bashkuar tok, lojtarë-tifozë do të mund ta bëjmë realitet ëndrrën shumëvjeçare, ta kthejmë titullin kampion në shtëpi.
SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015