Gaz Çaçi: Jam ultras i Partizanit
Gaz Çaçi: Jam ultras i Partizanit 20.01.2013 | 00:00

Kur takon Gazmend Çaçin, atij që e ka ndjekur basketbollin, i vijnë në mend kujtime të së kaluarës. Një nga lojtarët më të mirë të basketbollit në Shqipëri. Teksa ecën përkrah tij në rrugë, të shumtë janë ata që ndalojnë për të përshëndetur ish-kampionin. Shoqëria dhe miqësia për Gazin, siç na shpjegon ai më vonë është nga gjërat që ai nuk i humbet kurrë. Kampion për 16 vjet rresht ai dhe Partizani janë legjendë në basketbollin shqiptar. Ai është i gatshëm të tregojë për “Shekulli-Fundjavë” për jetën e tij me uljet dhe ngritjet, për trofetë e panumërt që pak si ai i kanë arritur. Basketbolli është përditshmëria e jetës së tij prej moshës 13 vjeçare. Qysh atëherë kur i thanë se nuk mund të bëhej dot basketbollist. Ai dhe “Partizani” kanë shkruar historinë e këtij sporti deri në vitin 1997. Gazi zbulon se është një ultras i “Partizanit” në jetën e përditshme. Karriera si sportist dhe shanset për të qenë futbollist ose volejbollist, të gjitha këto, në një rrëfim si nuk e keni parë më parë. 

Si e nisi Gazi basketbollin?

Isha një djalë i gjatë që binte në sy. Para se të filloja në basketboll kam qenë shumë i kërkuar si portier te “Partizani” dhe volejbollist po te “Partizani”. Ishte Andon Kona që ngulmonte. Por unë zgjodha basketbollin sepse kërkonte më shumë temperament. Pra shkova unë tek basketbolli. Por ajo që është më e çuditshme është fakti se në basketboll nuk më kanë pranuar në fillim. 

Ka për të treguar diçka për këtë moment të fillimit? 

Kur fillova stërvitjen kisha një trajner të njohur, Muhamet Përmeti, që kur më pa tha: si është e mundur që e përzini një djalë të tillë. Ai mund të bëhet lojtar shumë i mirë. Hajde, më tha, dhe nëse bën një mungesë në stërvitje do të vij në shtëpi. U frikësova. Isha kalama dhe thashë, po më rreh ky. 

Pra hytë në ekipin e të rinjve... 

Po, bëmë dy sezone fantastike dhe dolëm kampionë. Më pas duhej të kaloja në ekipin e parë 18 vjeç. Ekipi më kërkoi një vit përpara. Por Muhameti nuk më la. Sipas tij skuadra e parë ishte shumë e fortë dhe mund të digjesha. U vendos që të stërvitesha me ekipin e parë dhe të luaja me të rinjtë. 

Si ishte me ekipin e parë? 

“Partizani” kishte një skuadër të madhe, kishte shumë emra dhe për të çarë aty ishte shumë e vështirë. U dogjën sportistë më të mirë se unë: Voth Konomi, David Takidi, Arben Fagu, Gim Kozeli, Valer Hoxha. Të gjithë vinin me hov nga të rinjtë dhe nuk shpërthenin dot. Kishe të bëje me ekipin kombëtar te “Partizani”. Kjo skuadër është historia e basketbollit shqiptar. 

Një “Partizan” i basketbollit që edhe sot mban rekorde të mëdha? 

Po është e vërtetë. Është një Partizan super. Në kohën time 5-ja e të rinjve konkurronte me të rriturit. Dhe profesor Muhameti ka qenë gati për të bërë një Partizan B që këta lojtarë të mos digjeshin. Kjo nuk ndodhi. U futa në fillim unë, më pas Pjerin Bushati dhe Tan Teriati. Nga 10-12 lojtarë vetëm 3 u futën në historinë e madhe të Partizanit. 

Që në fillim titullar? 

Faktikisht nuk kam qenë që në fillim titullar. Sa vija nga të rinjtë dhe nuk mund të futesha direkt në fushë. Të gjithë e prisnin Gazin. Në një takim ndërkombëtar unë tregova veten. Mu dha rasti të luaja dhe jo se donte trajneri dhe ekipi, por disa lojtarë dolën me 5 personale dhe unë u futa. Në atë ndeshje isha lojtari më i mirë. Edhe vetë gazetat franceze shkruanin të nesërmen se si ka mundësi që trajneri kundërshtar e futi lojtarin më të mirë të fundit. Ishte një ndeshje me Kaenin në Francë. Kjo vulosi njëherë e përgjithmonë të qenët titullar në basketboll. 

Më pas Çaçi dhe historia e tij? 

Nuk ishte vetëm e imja. E gjithë skuadrës e “Partizanit”, por edhe e skuadrave të tjera, Vllaznisë, Tiranës, Dinamos, Durrësi, Apolonia. 

Sezoni më i mirë? 

Fakt është që kampionatet i kalonim pa problem me kundërshtarë si Vllaznia, Tirana, Dinamo. Ne kemi pasur atë mrekulli që merrnim pjesë në Kupat e Europës. Aty ishte aktiviteti më i publikuar dhe me ambicie dhe ndeshje të barabarta. Ne luanim si të barabartë. Nuk luanim me të huajt dhe e nisnim ndeshjen të humbur. Ne mund të kemi humbur me skuadra kampione të Europës me pak pikë. Ndeshja që kemi humbur me më shumë pikë është ajo me Skavolinin me 9 pikë, por ata ishin kampionët e Europës. Luanim të barabartë. Këtë gjë e pranonin ndërsa humbja do të ishte për ta shumë më e rëndë nëse humbitnin në Shqipëri. Ishin skuadra që kishin lojtarë shumë të mirë nga çdo vend i botës. 

Ndeshja më e bukur? 

Kam disa ndeshje. Kemi kaluar si Partizan dy turne në Kupat e Europës dhe jemi ndeshur me ekipet më të mira drejt kreut. Kemi luajtur me Banko Roma, Skavolinin me Italinë. Janë ndeshje që nuk hiqen nga memoria jonë. Kemi luajtur me ish-Jugosllavinë, Çekinë, Bullgarinë, CSKA-ja e Sofjes. Kemi fituar dhe humbur me të gjitha këto skuadra me pak pikë. Luanim si të barabartë. 

Ju erdhi keq që nuk luajtët dot jashtë? 

Kur vitet kalojnë të vjen keq. Në atë kohë ne ishim të rinj dhe kishim ide të tilla se po luanim, ishte familja e shumë gjëra të tjera që viheshin përballë kësaj dhe nuk të lejonin të bëje një zgjedhje të tillë. 

Jeni i kënaqur me karrierën tuaj? 

Pa diskutim që po. Shumë i kënaqur sepse kam luajtur në Europë. Edhe pse isha në Shqipëri, luaja jashtë. Luanim në europiane, Lojërat Olimpike të Barcelonës, Ballkaniadë. Kjo është një nga evenimentet më të rëndësishme të basketbollit. Unë kam arritur shumë gjëra. Koshshënuesi më i mirë, plejmejkeri, lojtari më i mirë i aktiviteteve që kam marrë pjesë. Në Barcelonë isha plejmejkeri më i mirë i aktivitetit edhe pse isha 36 vjeç. Luaja 40 minuta dhe më kontrolluan për doping se mos merrja ndonjë gjë të jashtëligjshme. Kur u thashë që nuk kam përdorur asnjëherë as vitamina hapën sytë. 

Mesatarisht sa pikë bënit?

Në Shqipëri nuk është se kisha shumë pikë sepse duhet të shënonim të gjithë në skuadër. Në ndeshjet e Europës kam më shumë pikë. Mbi 30 në çdo ndeshje. Ishin më shumë se në kampionat. 

Cilët ju markonin më egër në Shqipëri? 

Ishin të rrallë ata që më markonin në Shqipëri. Për të respektuar edhe kundërshtarin. Të rrallë ishin. Sokol Kalaj i Vllaznisë, Skënder Gjondeda dhe një fierak që nuk erdhi në ekipin Kombëtar, Fatmir Prifti. Ngeli atje. Shqipëria ka pasur mbrojtës. Në takimet ndërkombëtare ne bazonim lojën tonë tek mbrojtja dhe më pas tek kundërsulmi.

Koshat me zhytje? 

Ndoshta jam lojtari i parë që e kam bërë një gjë të tillë që tek të rinjtë. Them ndoshta se mund ta ketë bërë dikush tjetër më parë. Gjithsesi unë e kam bërë një veprim të tillë. E kam pasur me qejf. Zhytja të del, por po kujtoj një vetëm që e kam si tani në mendje. E kam bërë nga koshi. Dikush nga skuadra gjuajti, topi ra te hekuri i tabelës dhe topi ngjitet mbi nivelin e koshit 1.5 metra. Unë kërcej e kap dhe e zhys që nga ajo distancë. Kjo është një zhytje që më ka lënë edhe mua me gojëhapur. Në kërcim unë kam kapur 3.63 dhe kjo ishte diçka e bukur se më dilte bërryli mbi kosh. Gjithsesi zhytjet janë shumë të vështira. 

NBA-ja... 

Ishte tabu. Ne shihnim ato ndeshje sipas mënyrave tona dhe ishin shumë të rralla. Mendonim se ata në televizor ishin jashtëtokësorë. Ne asgjë dhe ata fluturonin në ajër. 

Shumë njerëz thonë që Gazmend Çaçi mund të luante në NBA? 

Këtë e kanë thënë shumë vetë, brenda dhe jashtë vendit. Unë e kam treguar se mund të luaja, bazuar në ato që kam treguar në ndeshjet ndërkombëtare, por atë kohë s’e mendoja një gjë të tillë. Ndryshe kur e logjikoj tani, dhe ndryshe në atë kohë. 

Ekipi Kombëtar? 

Shumica ishin Partizani dhe lojtarët e skuadrave të tjera. Por edhe ekipi kombëtar ishte i jashtëzakonshëm. Luanim me një moral në majë, me një motiv për të fituar dhe një mobilizim ndryshe. Luanim të gjithë dhe kishim një harmoni. Greqia sot mbahet në nivele të larta, por ne e kemi mundur disa herë. Kishim anën psikologjike shumë të fortë. "Arisi" ka tre amerikanë. E mundim dhe këtë e bënim brenda në Greqi. 

Partizani, ishin alienët e basketbollit shqiptar? 

(Qesh) Këtë nuk e di. Por ne faktikisht stërviteshim 2-3 herë në ditë. Gjendja e mirë psikologjiste vinte ngaqë stërviteshim shumë. Sot ka shumë pak lojtarë që bëjnë dy herë në ditë stërvitje. Talenti është një pjesë, puna është pjesa më e madhe e një sportisti. Kur e latë basketbollin? Unë kam luajtur deri në vitin 1997. Ndeshja e fundit ka qenë në Europë. Pas asaj ndeshjeje e lashë, sepse kështu mendova. Më shumë se mirë, i bëja dëm. 

Pas largimit tuaj Partizani nuk ka fituar më? 

Pas largimit tim dhe disa lojtarëve të tjerë, Partizani u sulmua. Bëhet fjalë për një sulm që mbase kishim dominuar... dhe donin të ngjiteshin skuadrat e tjera. Kishte shumë motive që të sulmonin Partizanin. Por me këtë sulm ata sulmuan basketbollin. Partizani ishte shkolla e basketbollit në Shqipëri. Ti shkallmon këtë gjë por humbet diçka të madhe. Nuk jam kundër skuadrave të reja si Valbona, Kamza apo të tjera, por Partizani ishte një nivel shumë i lartë dhe do të kishte qenë më mirë që ky nivel të zhvillohej edhe më shumë. 

Po sportistët sot? 

Kemi goxha talente. Kemi atë që nuk e kemi pasur deri dje. Lojtarë me shtatlartësi 210 cm që nuk i kemi pasur në atë kohë. Unë vet kam qenë 198 cm. Thënë më shkurt ne duhet të jemi në një nivel më të lartë në grup. Duhet vënë dorë që të punohet dhe më shumë. Skuadrat dhe vendet e tjera nuk kanë asgjë më shumë se ne. 

Dy ofertat për jashtë

“Oferta e parë erdhi nga Zvicra. Pas ndeshjes ai bëri një takim me ata që shoqëronin delegacionin. Kërkonin lojtarin me numrin 11, sepse nuk ma dinin emrin, do ta blejmë ne. Vetëm vini një çmim që për ne s’ka rëndësi. Përgjigja ishte. Ne nuk shesim lojtarë dhe kjo histori u mbyll në këtë mënyrë. Ata u habitën dhe u larguan. Oferta e dytë ka qenë nga Italia. Ishte Banko Roma që më kërkonte. Bëhej fjalë për trajnerin e Italisë dhe skuadrës në fjalë, Valerio Biankini. Me të isha përballur më shumë se 6 herë. Oferta ishte fantastike. Këtë lojtar e dua me çfarëdolloj çmimi. Si me çdo lloj çmimi?, ia kthyen drejtuesit e Partizanit. Po ja, sa skuadra basketbolli keni në Shqipëri, duke filluar nga paratërinjtë e deri tek të rriturit. Për sa vjet që qëndron në Itali, ne do të paguajmë rrogat e sportistëve dhe basketbollit shqiptar. Të gjithë po qeshnin, por ai u habit dhe ia kthen. Përse qeshni, nuk ju duket serioze oferta? Atëherë i vini një çmim lojtarit. Por sërish drejtuesit vetëm qeshnin. Nuk e kuptoj këtë gjë. Ju më thoni regjim, por unë nuk e di se çfarë është. Atëherë kur s’pranoni lekë dhe jeni shtet komunist silleni këtë djalin me shkollë në Romë. Të luajë me ne dhe ne marrim përsipër të gjitha shpenzimet. Në fund ai të kthehet në Shqipëri dhe ta keni universitetin përgjithmonë në Shqipëri. E njëjta situatë dhe pas këtyre fjalëve. U çua i çuditur duke thënë se nuk kuptonte dot asgjë. Kur vajta në Itali më priti dhe më tha: Gazi, të garantojmë gjithçka. Ngelet vetëm zgjedhja jote. Po familja i thashë. E di se çfarë i bëjnë asaj nëse bëj një veprim të tillë. Ma internojnë e burgosin. Ngriti duart lart dhe tha. Jo nuk duhet ta bëjnë këtë gjë.” 

Bio 

Karriera sportive e Gazmend Çaçit (1957 ) ka qenë e mbushur me trofe arritje dhe tituj. 18 herë kampion i Shqipërisë nga këto 16 radhazi me Partizanin dhe një si trajner. Pak më shumë Kupa të Shqipërisë në basketboll gjatë karrierës së tij që e nisi që 14 vjeç dhe e mbylli më 1997-n. Ka luajtur qendër, anësor, plejmejker. Ka marrë pjesë në Europiane, Kupat e Europës, Ballkaniada. Është prej vitesh trajner basketbolli. Në vitin 2012 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi Gazmend Çaçit Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sportit të basketbollit, si lojtar i jashtëzakonshëm dhe si trajner që ka përgatitur breza të tërë të sportistëve të rinj.” 

2. Koshi, puna dhe sëmundja ime

Gazmend Çaçi nuk ka folur vetëm për basketbollin. Por edhe për jetën jashtë basketbollit. Doli nga ky sport pa para edhe pse për 30 vjet ishte nga sportistët më të rëndësishëm të vendit. 

Punët tuaja veç basketbollit?

Nga basketbolli dola pa para. Nuk kam turp ta them. 20 vjet kampion dhe kur ua thosha, më shihnin dhe ma kthenin duhet të jesh milioner. Këtë ma thotë një kapiten i Makabit të Tel Avivit. Ne kemi respekt për ju, sepse jeni 20 herë rresht kampion. Thashë, e di mirë sa paguhem? 20 dollarë në muaj. Çunat më thoshin jo mos ia thuaj se na zhvlerësojnë ne të tjerëve. Por jo u thashë. Më mirë të vërtetën sepse na e kanë frikën dhe na respektojë më shumë. Dhe në fund kështu doli edhe pse ai merrte 19 mijë dollarë në muaj. Unë dola nga sporti në këtë gjendje. Merresha me basketbollin dhe merrem me basketbollin. Unë dukem sikur jam trajner i Apolonisë, por në të vërtetë jam trajner i fëmijëve për pasionin tim, sëmundjen time që quhet basketboll, unë e lidha jetën me këtë sport. Ai nuk më lë mua dhe unë nuk e lë atë. 

Në sporte të tjera mund të kishit qenë?

E thashë edhe në fillim që volejbollist mund të isha bërë pa frikë. Andon Kona i shkretë më thoshte se ti ke kërcim 360 cm dhe bëhesh volejbollist. Doçi dhe Shaban Uka dy më të mirët e Shqipërisë shkonin tek 345 cm. Unë isha më lart. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se do të isha bërë më i mirë se Shaban Uka. Nuk e men- doj. Ai ishte për ne diçka tjetër, një supervolejbollist. 

Kënaqësitë tuaja? 

Kam pasur një rreth shumë të madh shoqëror, miqësi dhe kjo është një kënaqësi e madhe. Sportistët kanë qenë shumë të vlerësuar atëherë, por edhe pse kam luajtur në Shqipëri, e kam ndjerë më të vlerësuar jashtë vendit. Dikur frekuentonim teatrin, kinemanë, koncertet, por nuk harronim futbollin e sportet e tjera. 

Tifoz jeni? 

Jam tifoz i deklaruar ultras i Partizanit që quhet Gaz Çaci. Nga ata të sëmurët. 

Të qenët trajner si është? 

Është shumë ndryshe. Megjithëse lojtari dhe trajneri janë të lidhur, lojtari nuk mban përgjegjësi të plotë. Atë e mban trajneri që këtu përgjigjet për gjithçka nga rrogat e deri te palestra. Në botë janë nga 3 deri në 7 shtatë trajnerë. 

Një Çaçi tjetër në basketboll? 

Po ka. Është djali im. Luan te Partizani. Ka disa vite që luan te Partizani. Është një lojtar që u nis për qendër por që nuk e çoi gjatësinë ku donim ne. Është një lojtar anësor. Është lojtar që po vjen në ngritje. Është te Partizani për të mbrojtur ngjyrat e Partizanit, jo sepse nuk e ka kërkuar ekip tjetër dhe jo për lekë më shumë. Luan për Partizanin. Sivjet Partizani po bën diçka më serioze se vitet e tjera. 

Gjyshja, tifozja speciale që njihte basketbollin dhe futbollin 

Basketbollisti ynë zbulon gjatë rrëfimit dhe një fakt interesant. Tifozja kryesore e tij gjatë karrierës ka qenë gjyshja. Me origjinë nga Përmeti ajo ishte personi që njihte çdo gjë për Gazin. Ndonëse nuk shkonte dot në pallatin e sportit, e ndiqte përmes televizorit, duke mos ia kursyer edhe kritikat. “Gjyshja e tij ishte një tifoze e thekur e Brazilit dhe Juventusit, i njihte të gjithë lojtarët. Pastaj mua më ndiqte pafund. Edhe mamaja nuk i njihte mirë shokët në fushë ndërsa ajo ishte ndryshe. Është një histori shumë e bukur në këtë mes. Fitojmë me Partizanin me pak pikë në Shkodër. Vijmë nga ndeshja dhe gjithë shoqëria vjen në shtëpi, po gëzonim. Por kur futemi na pret gjyshja. Ore çfarë keni që qeshni. Fituam ia ktheva. Fituat? Po ju ishit 14 pikë përpara dhe në fund fituat me katër pikë. Duhet ta quani humbje. Edhe trajneri ynë Astrit Greva kishte “frikë” nga kritikat e saj”, kujton Gazi me dashuri këtë person të veçantë në jetën e tij. 

SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015